Akuzohet për korrupsion, shkarkohet Presidentja koreano-jugore

09/12/2016 00:00

Parlamenti i Koresë së Jugut votoi për rrëzimin e presidentes Park Geun-hye të përfshirë në një skandal korrupsioni që ka shkaktuar indinjatë në mbarë vendin e ka nxjerrë njerëzit në protesta.

Mocioni u miratua me 234 vota pro e vetëm 56 kundër, çka do të thotë se në mesin e atyre që e aprovuan largimin e kryetares së shtetit kishte dhe anëtarë të partisë së saj Saenuri. Kompetencat e Park tani i takojnë kryeministrit Hwang Kyo-ahn.

Me mijëra njerëz kanë dalë në rrugë këto javët e fundit me thirrjet për shkarkimin e presidentes që pas votimit në Parlament, kërkoi ndjesë për kaosin kombëtar të krijuar prej pakujdesisë së saj.

“E pranoj solemnisht zërin e Parlamentit dhe atë të popullit. Shpresoj nga zemra që i gjithë ky pështjellim të marrë fund”, tha ajo.
 
Në zemër të krizës qëndron marrëdhënia e Parkut me mikeshen e vjetër të saj Choi Soon-sil, të akuzuar se ka përdorur njohjet që ka për të patur influencë e për të siguruar përfitime financiare. Prokurorët këmbëngulin se presidentja ka një rol të rëndësishëm në aferën korruptive, por ajo vetë mohon me forcë çdo përfshirje. Shumë banorë të Seulit e mirëpritën rezultatin e votimit në Parlament.

“Po shpresoja shumë që kjo të ndodhte sepse tregon që zëri i opinionit publik dëgjohet dhe merret parasysh. Ndihem krenar që jam i përfshirë në këtë moment historik”, thotë një student.
 
Fjalën përfundimtare për fatin e presidentes tani e kanë 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të vendit, shumica të cilëve janë caktuar nga Park dhe parardhësi i saj konservator. Gjykata do të ketë 180 ditë në dispozicion për të vendosur nëse vota e shkarkimit të Presidentes në Parlament është e vlefshme.

Top Channel