Muri në Mitrovicën e Veriut, Mustafa: Do zgjidhet në rrugë ligjore

08/12/2016 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa deklaroi se çështja e murit serb në veri të Mitrovicës do të zgjidhet në rrugë ligjore.

“Çështja e murit do të trajtohet mbi bazën e ligjit. Ne s’do nxjerrim gjoksin dhe s’do të tregojmë muskujt sepse muskujt dhe gjoksin i tregon ligji. Ne duhet të arrijmë në një situatë ku të respektohet ligji dhe ata duhet ta respektojnë ligjin në këtë aspekt. Ministria e Mjedisit është duke vepruar me inspektoratin e vetë atje për të mbikëqyrur gjendjen. Ministrja për Dialog, po ashtu ka kontakte me BE-në, në mënyrë që të vërtetohet se a është ajo në harmoni me projektin të cilin BE e realizon atje, sepse është projekt i BE-së. Prandaj, në këtë rast çdo gjë do të shkojë sipas ligjit”, tha Mustafa.

Në të njëjtat linja, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj u shpreh skeptik për këtë nismë të Serbisë.

“Sa i takon murit, Serbia ka ndjekur në raport me Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit një politikë të mureve dhe vijave territoriale në këto 25 vitet e fundit. Ju jeni dëshmitarë që kjo politikë ka dështuar. Serbia ka një mur politik në raport me Kosovën, që është mur politik i BE-së. Pa e njohur Kosovën, Serbia nuk mund të integrohet në BE”, deklaroi Hoxhaj.

Ndërsa ministrja përgjegjëse për dialogun, Edita Tahiri mblodhi një ditë më parë me urgjencë grupin e punës për marrëveshjet e Brukselit. Ajo infrmoi BE-në për zhvillimet në veri, duke e cilësuar murin një akt destabilizues dhe në kundërshtim me marrëveshjet Prishtinë-Beograd, por edhe me ligjet e Kosovës.

Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të BE për Politikën e Jashtme, Maja Koçijançiç u ka thënë mediave kosovare se po shqyrtohen raportimet për murin.

Top Channel