Greqi, popullariteti i Tsipras dhe qeverisë në rënie të lirë

07/12/2016 00:00

Megjithëse qeveria greke trumbetoi se ariti një marrëveshje pozitive, sipas saj, për lehtësimin e borxhit deri në vitin 2060, sondazhet e fundit tregojnë një rënie të lirë të popullaritetit të saj dhe të kryeministrit Tsipras.

Sipas kompanisë “Pulse”, në matjet e saj të fundit partia Demokracia e Re kryeson me 11% më shumë se partia qeveritare Syriza, ndërsa kryemnistri grek Aleksis Tsipras mbështetet vetëm nga 22% e të anketuarve, nga 35.5 që ishin në shtatorin e kaluar.

“Jam e zhgënjyer nga Tsipras. Para se të vinin në pushtet na thanë se do të bënin këtë e atë, por nuk bënë asgjë. Jam shumë e zhgënjyer, bashkë me shumë të tjerë nga kjo qeveri”, shprehet një pensioniste.

E teksa prej vitit 2010 pagat dhe pensionet janë reduktuar në masën mbi 40% dhe taksat vazhdojnë të rriten, grekët shprehin frikën se përsëri do të paguajnë ata çmimin e qëndrimit të vendit në Eurozonë, ndaj dhe kanë humbur besimin ndaj klasës politike.

“Njerëzit kanë humbur besimin tek shteti. Mendoj se ka një lidhje të çuditshme mes shtetit dhe popullit. Populli ose do mashtrohet, ose do tatohet dhe njerëzit këtë besojnë për çdo parti politike qe është në pushtet”, thotë një nënpunës.

Ndërkohë, e përditshmja gjermane “Süddeutsche Zeitung” thekson se politikani i majtë, Tsipras, vërtet ka qenë i rëndësishëm në shpëtimin e Greqisë.

“Ai ka rinovuar qeverinë me ministra që zbatojnë kërkesat e kreditorëve, ka treguar bindje ndaj Brukselit për reformat, por mënyra se si qeveria gjermane po e trajton atë, duke i ofruar një reduktim borxhi që ndoshta nuk do të ndodhë kurrë, mund të sjellë edhe rrëzimin e tij duke bërë që kriza të rikthehet përsëri”, shkruan gazeta.

Jo vetëm mediat greke, por edhe ato të huaja e konsiderojnë tepër të ashpër deklaratën e fudnit të ministrit gjerman Shcauble, se e vetmja rrugë për Greqinë janë reformat dhe masat e reja të kursimit.

Top Channel