Siri, forcat qeveritare i afrohen qytetit të vjetër të Aleppos. Drejt fitores më të madhe

06/12/2016 00:00

Ushtria siriane e mbështetur nga aleatët e saj i është afruar zonave pranë qytetit të vjetër të Aleppos gjatë kësaj të marte, duke iu afruar më shumë se kurrë fitores së tyre më të rëndësishme në luftën civile 5-vjeçare, pikërisht duke zmbrapsur rebelët nga bastioni i tyre i fundit urban.

Rebelët, nga ana e tyre, deklaruan se nuk do ta braktisnin kurrë Aleppon, pas raporteve se diplomatët amerikanë dhe rusë po përgatiteshin të diskutonin mbi dorëzimin dhe evakuimin e kryengritësve nga territori që kanë kontrolluar prej vitesh.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se bisedimet me Shtetet e Bashkuara mbi tërheqjen e rebelëve mund të nisnin në Gjenevë jo më vonë se pasditja e së martës ose mëngjesi i së mërkurës. Megjithatë, burime me njohuri mbi këto plane thanë për “Reuters” se nuk do të zhvillohen bisedime gjatë kësaj jave në qytetin zviceran.

Rebelët, që kontrollojnë pjesën më të madhe të Aleppos lindore prej afro 5 vitesh, kanë humbur rreth 2/3-tat e territorit të tyre në qytet përgjatë dy javëve të fundit.

Qeveria e presidentit Bashar al-Assad duket tashmë më afër fitores se kurrë më parë që prej vitit 2012, vit në të cilin rebelët rrokën armët për të rrëzuar presidentin në një luftë që ka lënë të vdekur qindra mijëra njerëz, ka lënë më shumë se gjysmën e sirianëve të pastrehë, si dhe kontribuoi në krizën më të rëndë të refugjatëve në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Ministria e Jashtme e Sirisë ka bërë të ditur se nuk do të pranojë asnjë lloj armëpushimi në Aleppo, nëse ndonjë palë e jashtme mund të tentojë të negociojë diçka të tillë. Rusia dhe Kina vendosën veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit në OKB, gjatë së hënës, e cila bënte thirrje për një armëpushim njëjavor. Moska tha se rebelët i kanë përdorur pushime të tilla në të kaluarën për t’u përforcuar.

Dhjetëra mijëra civilë janë ende të bllokuar në zonën e mbajtur nga rebelët në Aleppo, e reduktuar tashmë në disa kilometra. Kombet e Bashkuara, stafi i të cilëve nuk lejohet të futet në zonat e kontrolluara prej qeverisë në këtë qytet, e përshkroi të martën situatën në Aleppon lindore si “tejet katastrofike”.

Damasku dhe Moska u kanë bërë thirrje rebelëve të tërhiqen nga qyteti, të çarmatosen dhe të pranojnë kalimin e sigurtë jashtë tij, një procedurë që është ndjekur në zona të tjera, ku rebelët braktisën territoret e rrethuara gjatë muajve të fundit. Moska kërkon gjithashtu negociata me Uashingtonin për të lehtësuar një evakuim të tillë.

Por, pavarësisht njoftimit nga Lavrov për një takim në Gjenevë, një zyrtar amerikan tha se nuk është përcaktuar asnjë plan për bisedime, edhe pse Uashingtoni po punon ende për t’i rihapur negociatat.

Vendet perëndimore, ndërkohë, kanë bërë të ditur se, edhe nëse forcat qeveritare marrin kontrollin e Aleppos, ata nuk do të jenë në gjendje për t’i dhënë fund konfliktit, për sa kohë që miliona sirianë e shohin qeverinë si një armike brutale. Zyrtari amerikan, në kushtet e anonimatit, tha se “Aleppo do të bjerë, por lufta do të vijojë”.

Top Channel