Lehtësohet borxhi grek, marrëveshje për të reduktuar 45 mld deri në 2060

06/12/2016 00:00

Ministrat e Financave të Eurozonës arritën një marrëveshje në Bruksel për masat afatshkurtra që do të lehtësojnë barrën e borxhit të Greqisë, zhvillim që Athina zyrtare e konsideron si një fitore kombëtare.

Samiti i Eurogrupit pasi ka konstatuar progresin që ka bërë qeveria “Tsipras” në nivelin teknik të marrëveshjes me kreditorët, ka dhënë pëlqimin për projektbuxhetin e 2017 që do të arrijë një suficit primar prej 1.75% të PBB-së dhe ka vendosur të reduktojë borxhin e Greqisë me të paktën 45 mld euro deri në vitin 2060.

“Kur ne të kemi zbatuar të gjitha këto masa, ato mund të çojnë në një reduktim të përgjithshëm të borxhit grek prej rreth 20 % të produktit të brendshëm bruto gjatë gjithë harkut kohor deri në vitin 2060”, u shpreh Klaus Regling, kreu i mekanizmit europian të stabilitetit ESM.

Masat që do të zbatohen menjëherë janë shtyrja e afatit të shlyerjes së borxhit në 32 vjet, zvogëlimi i kësteve të pagesave, ulja e normave të interesit në nivelin konstant prej 1.5%  dhe zgjerimi i kohës së maturimit të bonove greke, masa që do të përmirësojnë qëndrueshmërinë e borxhit. Por ndërkohë, qeveria greke sheh me dyshim synimet e kreditorëve për teprica primare në buxhetet e Greqisë pas vitit 2018 në masën prej 3.5% për disa vjet.

“Disa kanë argumentuar për tre vjet, disa për pesë dhe disa për dhjetë, dhe në të gjitha këto situata, masat serioze strukturore janë të domosdoshme për të arritur një tepricë primare 3,5% dhe për ta mbajtur atë të paktën për disa vjet”, tha Jeroen Dijsselbloem, presidenti i Eurogroupit.

Gjithashtu qeveria greke nuk ka marre miratimin e kreditoreve për mbylljen e vlerësimit të paketës së dytë të masave, si dhe pohimin e FMN se do të marrë pjesë në programin e ndihmës. Objektiva të cilat Athina zyrtare shpresonte t’i realizonte brenda këtij viti.

Top Channel