Unioni i Komunave Shqiptare, Vuçiç: Përrallë fëmijësh. Le të argëtohen!

29/11/2016 00:00

“Lojë për fëmijë të vegjël dhe përrallë joserioze” e ka quajtur kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Unionin e Komunave Shqiptare që u formua të hënën mes Tiranës, Prishtinës, Tetovës, Ulqinit dhe Preshevës.

“Çfarë komunash shqiptare? Këto janë lojëra për fëmijë të vegjël që kujtojnë se janë shumë të rrezikshëm”, ka deklaruar Vuçiç, i cituar nga agjencia serbe e lajmeve “Mondo”. Sipas tij, “kjo është një përrallë për votuesit”.

“Kur s’kanë çfarë t’i ofrojnë popullit, rritje ekonomike dhe reforma serioze, atëherë tregojnë përralla fëmijësh. Ndërsa unë ju pyes, çfarë ka ndryshuar dje dhe sot në Preshevë? Mos e kanë shkëputur një pjesë të Serbisë? Nuk do të thosha. Ndaj le të argëtohen fëmijët nëse kështu e kanë më lehtë, unë nuk mërzitem”, ka thënë Vuçiç.

Por, sipas tij, në aspektin psikologjik kjo pjesërisht mund të jetë diçka e rrezikshme. “Sepse nga njëra anë disa njerëzve mund t’u duket se kanë bërë diçka të madhe dhe në anën tjetër kjo nuk u kontribuon marrëdhënieve më të mira në Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar Vuçiç.

Top Channel