F1, gara e Italisë qëndron në Monza

29/11/2016 00:00

Çmimi i Madh i Italisë në Formula 1 qëndron në Monza. Ai që e konfirmoi këtë lajme ishte presidenti i Federatës Italiane Sportive Automobilistike, Angelo Sticchi Damiani i cili bëri të ditur se kontrata e re tashmë është firmosur.

“Edhe pse mes shumë vështirësive, falë punës së madhe më në fund arritëm të nënshkruajmë kontratën për garën e Monzës. Në emër të të gjithë italianëve falënderoj kryeministrin Renzi dhe presidentin e Komitetit Olimpik, Malago që krijuan kushtet për t’ia arritur këtij objektivi të rëndësishëm”, tha Damiani.

Kjo federatë nuk e bën të ditur kohëzgjatjen e kontratës së re, por mësohet se Monza do ta ketë të garantuar organizimin e garës së Italisë deri në vitin 2019.

Vetë presidenti i CONI, Malago nuk e fshehu entuziazmin e tij për këtë kontratë të re që u nënshkrua. Sipas tij, gjithçka u realizua falë edhe një pune të madhe të kryer nga të gjithë ku përveç kryeministrit italian, pati kontributin e tij Presidenti i Rajonit të Lombardisë, Roberto Maroni.

Top Channel