Konferenca e kristiandemokratëve, kërkohet dorëheqja e Merkel

29/11/2016 00:00

Gjithë të papritura ishte për Angela Merkel konferenca rajonale e kristiandemokratëve. Kancelarja u përball me thirrjen e një mbështetësi të koalicionit dhe njëkohësisht anëtar i CDU për 40 vite, për të hequr dorë nga posti i saj.

“Si gjysh unë mendoj për të ardhmen e vendit tonë, ndoshta më shumë se të tjerët. Për të mos u zgjatur shumë unë ju kërkoj kancelare që të jepni dorëheqjen. Me politikën tuaj për refugjatët na keni ngarkuar me diçka që ne nuk do të mund të kemi zgjidhje, të paktën për disa kohë të mira. Largohuni tani para se dëmi të bëhet më i madh”, u shpreh Ulrich Sauer.

Merkel vijon te gjendet mes dy zjarresh: atyre që e kritikojnë dhe personat që e shohin si shpëtimtaren e tyre. Nuk zgjati shumë dhe Edris, një vogëlush refugjat që ndodhej aty në sallë shprehu mirënjohjen e thellë për punën e kancelares.

“Do te doja t’ju falënderoja shumë zonja Merkel. Unë jam shumë i lumtur që u pranova këtu. Do të doja t’ju shtrëngoja duart”, tha Edris.

Merkel buzëqeshi, u ngrit nga podiumi për ta takuar, ndërsa djali i vogël i emocionuar shpërtheu në lot.

Vitin e kaluar, Merkel u kritikua gjerësisht kur bëri një vajzë të vogël palestineze për të qarë, ndërsa i thoshte që ajo mund të përballej me depërtim pasi fundja kjo është politika.

Top Channel