Memushaj i shënon Romës, por fitojnë verdhekuqtë

27/11/2016 00:00

Roma mori një fitore 3-2 ndaj Peskarës në ndeshjen e mbrëmjes në Serie A, ku një nga golat e miqve u shënua nga mesfushori shqiptar Ledian Memushaj.

Verdhekuqtë shënuan dy gola të shpejtë me anë të bosnjakut Dzeko, në minutën e 7 dhe të 10 të pjesës së parë duke krijuar idenë e një goleade, por nuk rezultoi kështu.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-0, ndërsa në minutën e 60 ishte Ledian Memushaj që shkurtoi diferencën duke realizuar një gol të bukur. Të besuarit e trajnerit Spalleti reaguan duke shënuar edhe golin e tretë me një 11-metërsh të kthyer në gol nga argjentinasi Perotti. Por Peskara nuk ishte dorëzuar ende dhe vetëm 3 minuta më pas, Caprari e çoi rezultatin në 3-2.

Në minutat e mbetura lojtarët e Peskarës u përpoqën të shënojnë edhe golin e barazimin, por nuk arritën ta gjenin atë.

Me këtë fitore, Roma i bashkohet Milanit në klasifikim me 29 pikë, 4 më pak se Juventusi kryesues.

Top Channel