Berlin, Meta takon deputetët e Komisionit të Çështjeve Evropiane

26/11/2016 00:00

Gjatë vizitës së tij në Berlin, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta u prit në Komisionin e Çështjeve Evropiane të Bundestagut nga deputetët e SPD-së Norbert Spinrath, Christian Petry dhe Joachim Barchmann.

Sipas një njoftimi për shtyp nga LSI, gjatë takimit ligjvënësit gjermanë ndanë bindjen se Ballkani është pjesë e Europës dhe ofruan mbështetjen e tyre që Shqipëria t’i bashkohet BE-së.

“Ne si anëtarë të Komisionit jemi të qartë se Ballkani është pjesë e Evropës dhe do të bëjmë gjithçka për t’ju shoqëruar drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, u shpreh gjatë takimit deputeti Spinrath.

Nga ana e tij, Meta, pasi i falënderoi deputetët e SPD për mesazhin e qartë mbështetës, vuri në dukje se Shqipëria ka realizuar disa reforma të rëndësishme vitet e fundit, ku kryefjalë është paketa kushtetuese e reformës në drejtësi, e cila u miratua në mënyrë konsensuale në parlamentin shqiptar.

“Siç u evidentua edhe nga progres raporti i fundit i Komisionit Evropian, Shqipëria ka bërë progres dhe hapja e bisedimeve për anëtarësim është një hap i natyrshëm i procesit të integrimit evropian, sepse qëllimi ynë i përbashkët është si të forcojmë Evropën, me një Ballkan tërësisht të integruar në të”, theksoi Meta.

Gjatë qëndrimit të tij në Berlin, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta u prit në një takim nga presidenti i Fondacionit Friedrich Ebert, Kurt Beck.

Zoti Beck vlerësoi vizitën e delegacionit të LSI-së, duke e cilësuar një hap të rëndësishëm drejt një bashkëpunimi gjithmonë e më të ngushtë.

Ai e siguroi Metën se fondacioni FES mbetet i gatshëm të ofrojë ekspertizën e tij politike në mbështetje të avancimit të vlerave social-demokrate dhe të mirëqeverisjes në Shqipëri.

Top Channel