Brukseli ka hyrë në atmosferën e festave të fundvitit dhe në frymën e tyre, një grupi të ftuarish iu rezervua një trajtim special; një darke nga slita e Babagjyshit të Vitit të Ri, e bashkë me të pamja e mrekullueshme nga lart e qytetit natën.

“Santa ne qiell” ishte një përshtatje e “Darkës në qiell”, event që zhvillohet një herë në vit në kryeqytetin belg. Shefat e kuzhinës kënaqin adhuruesit e ushqimit me vakte të servirura në një platformë të ngritur me vinça 50 metra mbi tokë mbi Sablon, lagjja e famshme për prodhimin e çokollatave dhe dyqaneve të antikuareve.

Pasi njerëzit i lidhin mirë rripat me karriget e tyre, platforma e shndërruar në slitën e Babagjyshit dhe e tërhequr nga katër drerë metalikë ngrihet në ajër deri atëherë kur ndërtesat mesjetare e ato të stilit barok të Brukselit shihen plotësisht, bashkë me dritat e ngrohta të Krishtlindjeve.

Ushqimi i tyre është përgatitur nga kuzhinierët më të mire belgë, disa prej të cilëve shefa me yje Michelin. Menuja e krijuar nga Maxime Mazier përfshin antipasta me karavidhe e angjinare, levrek të eger, alte me aromë mangoje dhe biskota të shkrifëruara në çokollatë.

“Darka në një lartësi të tillë të detyron të mendosh për një ushqim më të lehtë se ai i zakonshmi. Duke qenë se një nga vështirësitë e mëdha këtu lart janë temperaturat e ulëta, atëhere dhe ushqimi ftohet shumë shpejt. Duhet parë me kujdes mënyra e gatimit të peshkut dhe të gjithë të tjerave në mënyrë që rrymat e ajrit të mos ndikojnë mbi to”, thotë shefi i kuzhinës, Maxime Mazier.
 
Pjesëmarrësit e këtij eventi gastronomik kanë paguar 250 euro për darkën e rrallë që përfshinte edhe sërvirjen e verës se bardhë Burgundy nga Chablis, ndërsa kush donte shampanjë, duhet të jepte 95 euro shtesë.

Top Channel