Birra “trashëgimi kulturore”

25/11/2016 00:00

Nga format e saj më të lehta e deri tek ato më të fortat e prodhuara nëpër manastire, birra belge shijohet në mbarë botën.

Por tani, Belgjika kërkon diçka më shumë: Ajo do që emrin e produktit të vet të famshëm ta shohë të shkruar në listën e trashëgimisë se paprekshme kulturore të UNESCO-s.

Pretendimi mbështetet në argumentin se prodhimi i birrës në këtë vend dhe kultura e konsumit të saj atje duhet të hyjnë tek traditat që meritojnë mbrojtje, për shkak se farkëton identitetin e unifikuar të një shteti me tre gjuhë zyrtare të ndryshme.

Belgjika është shtëpi e rreth 200 fabrikave të birres që prodhojnë me mijëra lloje të saj.

“Mendoj se të veçantën e kulturës belge të birrës e përben pikërisht kombinimi i shumëllojshmërise, inovacionit dhe traditës. Kemi më shumë se 3.000 lloje birrash në Belgjikë dhe mbi 200 fabrika që kanë krijuar një kulturë të birrës rreth e rrotull tyre. Kemi pub-et tona, kemi muze, festivale dhe rituale ku mesohet sesi shërbehet birra”, shprehet Jean-Louis Van De Perre, president i Federatës Belge të Prodhuesve të birrës.

“Mendoj se është një element i jashtëzakonshëm pajtues për vendin tonë. Birra ka qenë gjithmonë pjesë e kulturës dhe historisë së këtij kombi dhe çdo belg e di që ajo është e famshme në mbarë botën. Është gjëja e parë që njerëzit na permendin kur dalim jashtë kufijve”, shprehet juristi Gregoire Lepoudre.

Komiteti i trashëgimisë së paprekshme të UNESCO-s mblidhet javën që vjen në Adis Abeba ku do të përcaktojë nëse pjesë e listës së tij duhet të bëhet edhe birra belge së bashku me 36 subjekte të tjera si Yoga dhe teatrot e famshme çeke dhe sllovake të kukullave.

Top Channel