Top Story, deklarata e Krichbaum dhe integrimi

24/11/2016 00:00

Gunther Krichbaum trazoi opinionin publik këtë të enjte me parashtrimin e shtatë pritshmërive për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, nga pesë prioritete që ka vendosur Komisioni në progres-raport. Dy pritshmëritë e shtuara prej tij, janë dy nga tre tezat e opozitës.

Ky qëndrim i deputetit gjerman shton akoma më shumë interesin e vizitës dhe takimit të Edi Ramës me Angela Merkelin në Berlin, të hënën e 28 nëntori. Pikërisht për këto çëshjte u fol në Top Story këtë të enjte me Spartak Ngjelën, Arjan Vasjarin, Mustafa Nanon, Agron Gjekmarkajn, Tomor Alizotin dhe Paskal Milon.

Ngjela minimizoi qëndrimin e deputetit gjerman, që mban edhe postin e kryetarit të Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestag. Ai tha se gjithçka varet nga qëndrimi i Merkel, që sipas tij është i kundërt nga ai i Krischbaum.

“Nuk kemi parë ndonjëherë që kancelarja gjermane të humbë ndonjë votim me rëndësi në Bundestag’, tha ai.

Ngjela shtoi se ka vetëm një kusht për hapjen e negociatave dhe ai është Vettingu.

“Krimi është në shtet dhe Vettingu ka trembur të korruptuarit. Kusht është vetëm Vettingu dhe ai (Krichbaum) nuk foli fare për të. Është skemë e thjeshtë e Perëndimit; do të pastrohet pushteti gjyqësor, do të dënohen krokodilët dhe do të marrë fund loja. Nëse nuk bëhet një drejtësi e pavarur, nuk ka zgjedhje të lira. Ata bëjnë thirrje që ne duam peshq të mëdhenj dhe hetimi ka filluar”, shtoi ai.

Analisti Agron Gjekmarkaj tha se deklarata nuk është pritur me entuziazëm. Ai e vlerësoi atë si një moment të trishtë për politikën dhe realitetin shqiptar.

“Do të doja që Kancelarja Merkel të hënë t’i thotë Kryeministrit krejt gjëra të tjera, por nuk mendoj që deputeti gjerman nuk është serioz sepse ai foli në emër të dy grupeve të rëndësishme në Bundestag. Për mua, deklarata rrëzoi Ramën për integrimin, rrëzoi Ramën për drogën dhe në një farë mënyrë shkarkoi ministrin Tahiri nga detyra’, tha ai.

Edhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Tomorr Alizoti tha se Gunther Krischbaum foli në emër të grupimit të tij parlamentar.

Gjithsesi, për Mustafa Nanon mund të jetë edhe një qëndrim personal dhe për një qëndrim përfundimtar të Gjermanisë për çështjen e negociatave, duhet pritur e hëna.

“Ka shumë politikanë europianë dhe amerikanë palaço, biles dikush ka përfunduar edhe në burg, që kanë ardhur këtu dhe kanë mbështetur njërën apo tjetrën palë për interesa nga më të çuditshmet. Krischbaum është një deputet dhe nuk e di, por duhet pritur takimi Merkel-Rama të hënën’, u shpreh ai.

Paskal Milo kërkoi që deklarata të mos nënvlerësohej.

“Nuk ka folur në emër personal, por ne emër të grupit. Kemi të bëjmë me një qëndrim serioz gjerman. Mund të ndodhë që nga Gjermania e marrim dritën jeshile, por mund të ndodhë që një shtet tjetër të shprehë rezerva dhe kjo bllokohet. Por ama ai nënvizoi kanabisin dhe zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri dhe na ka ndodhur edhe herët e tjera në të shkuarën që nuk na e kanë dhënë, pra janë rezervuar se duan të presin si zhvillohen zgjedhjet”, tha Milo.

Arjan Vasjari foli për mundësitë e një qëndrimi të lobuar dhe dha arsyet se përse.
 
“Qëndrimi i tij është një qëndrim i lobuar që në sfond shikoj edhe një trafik influence. Të gjitha problematikat e tij kanë qenë problematika që kanë ekzistuar edhe para 2 javësh kur Komisioni dha “OK” dhe asnjë nga komisarët nuk shprehu këtë qëndrim. Elementi i dytë, në dijeninë time nuk ka ndodhur që Komisioni të japë “OK” dhe të dalë një deputet i një Parlamenti të caktuar dhe të thotë jo”, u shpreh ai.

Tomorr Alizoti tha se është qesharake që deklaratë të mos merret seriozisht.
 
“Ngjitur me Krischbaum ishte këshilltar i Angela Merkel dhe nëse ai do të dilte jashtë kontekstit, do të ndërhynte këshilltari dhe do ta korrigjonte”, deklaroi ai.

Arjan Vasjari tha në fund se qëndrimi i partive politike në vend sa i takon integrimit duhet të jetë me zero kushtëzime.

“Unë kam qenë kundër në kohën kur Rama e bllokonte dhe sot jam kundër”, u shpreh ai.

Ndërkohë, në Top Story, një burim nga grupi negociator shqiptar që kërkoi të mbetej anonim shkruan se ajo që pret Shqipëria nuk është hapja e negociatave, por një proces përgatitor.

‘Shqipëria nuk pretendon hapjen e negociatave në dhjetor, por një proces të quajtur ‘screening’ e më pas negociatat”, thuhet në mesazh.

Ish-ministri i Jashtëm, Paska Milo mbështeti këtë. “Pikërisht procesin screening duhet ta marrim për 2017 dhe nëse e marrim, garantohet hapja e negociatave pas tij”, tha ai.

Top Channel