“BE? Flasim pas 2018”. Krichbaum në Tiranë: Prioritetet janë shtatë

24/11/2016 00:00

Deputeti Gunther Krichbaum, i grupimit kryesor të mazhorancës gjermane, tha se nuk fliste në cilësinë e kryetarit të Komisionit Parlamentar për Çështjet e BE-së në Bundestag dhe në letrën zyrtare ku ai listoi pritshmëritë, kishte vënë kokën e grupit të cilit i përket, atij të Angela Merkel.

“Mungojnë kushtet e nevojshme për këtë arsye grupi parlamentar i CDU-CSU do t’i rekomandojë qeverisë federale që të mos miratojë çeljen e negociatave derisa të përmbushen ato pika që kemi formuluar në dokumentin ku kemi paraqitur 7 pritshmëritë”, deklaroi deputeti gjerman, Gunther Krichbaum.

I pyetur nëse këto pritshmëri janë të konsultuara me kryetaren e partisë dhe me qeverinë gjermane, Krichbaum theksoi se ai është konsultuar me‎ kreun e grupit parlamentar dhe se Qeveria nuk mund të shprehet pa marrë miratimin e Bundestagut.

“Sigurisht që unë kam mandatin e grupit parlamentar të CDU-CSU dhe kryetarit të Grupit Parlamentar për të folur këtu. Bundestagu ka të drejtën dhe detyrimin që të shprehë qëndrimin e tij ndaj një vendi kandidat, ndaj pa marrë më parë një votë pozitive të Bunestagut, kancelarja gjermane nuk mund të shprehet pro çeljes së negociatave të anëtarësimit me një vend kandidat”, shtoi ai.

Sipas tij, Shqipëria do duhet të presë deri në pranverën e vitit 2018 kur të publikohet Raporti i ardhshëm i Komisionit Europian.

“Grupi Parlamentar i CDU-CSU do të marrë vendimin nëse mund të fillohen negociatat vetëm pasi të jetë publikuar progres-raporti”, u shpreh Krichbaum.

Top Channel