U shanë në WhatsApp, 20 kamzhikë për dy gra

24/11/2016 00:00

Ligjet dhe rregullat që duhet të zbatojnë gratë në Arabinë Saudite për t’i shpëtuar ndëshkimit të ‘drejtësisë’ janë të ashpra dhe siç duket nuk shtrihen vetëm në publik, por edhe në komunikimin virtual.

Një gjykatë saudite dënoi me nga 20 goditje me kamzhik dy gra, të cilat sipas akuzës ‘kishin përdorur fjalor të papërshtatshëm’ gjatë komunikimit me njëra-tjetrën në platformën WhatsApp.

Çifti, që në procesin gjyqësor u mësua se ishte përfshirë në një zënkë, u dënua edhe me nga 10 ditë burg.

Gjykata fillimisht arriti në përfundimin se vetëm njëra prej grave të përfshira në bisedën virtuale kishte përdorur ‘shprehi të papranueshme’ dhe e gjeti atë fajtore për ‘abuzim’. Si vetëmbrojtje, gruaja e gjetur ‘fajtore’ akuzoi rivalen e saj se kishte përdorur të njëjtën gjuhë kundër saj disa muaj më parë.

Si përfundim, gjykata ‘për t’u treguar e drejtë dhe e paanshme’ vendosi t’i ndëshkojë të dyja gratë.

Top Channel