Denoncimi i “Fiksit”, gruaja dhe dy fëmijët merren nën mbrojtje

23/11/2016 00:00

Gruaja e dhunuar dhe dy fëmijët e saj, historia e së cilës u transmetua mbrëmjen e së martës në emisionin “Fiks Fare”, sot janë marrë në mbrojtje nga policia dhe janë transferuar nga banesa e tyre e përbashkët me të afërmit e burrit të saj në një qendër të kujdesit për gratë e dhunuara.

Policia ka zbardhur ngjarjen që nis prej vitit 2013 me dhunë në familje. Policia kishte arrestuar disa herë bashkëshortin e 29-vjeçares dhe ai aktualisht ndodhet nën arrest me akuzën e dhunës në familje.

Por e reja me dy fëmijët e saj banonin ende në një shtëpi me ambjente të përbashkëta me vjehrrën dhe konfliktet e vazhdueshme mes tyre bënin që policia të ndërhynte disa herë.

Në rastin më të fundit, në momentin që mbërrinte policia vjehrra kërcënonte me thikë në dorë nusen e saj. Për këtë ajo është vendosur nën hetim në gjendje të lirë.

Ndërkohë, policia po verifikon të gjitha veprimet e punonjësve të saj që janë marrë me çështjen konkrete, me qëllim vendosjen e masave disiplinore nëse nuk kanë vepruar konform standardeve të punës së tyre.

Top Channel