Rama në TV grek: Të zgjidhim çështjet pezull

22/11/2016 00:00

Në një intervistë për televizionin grek “Skai”, kryeministri shqiptar Edi Rama ka theksuar se i cilëson marrëdhëniet me Greqinë tepër të rëndësishme pasi ajo është një partner strategjik. Por ai shtoi se dy vendet kanë disa çështje që duhen zgjidhur me dialog dhe me besim për interesin e dy palëve.

I pyetur për postimin e tij në Facebook për Akropolin, Rama ka thënë se e ka përmendur këtë fakt historik me dashamirësi pasi historia ndihmon të njohim të kaluarën dhe të ndërtojmë të ardhmen, duke u mësuar njerëzve për lidhjet që kemi pasur në të kaluarën dhe se çfarë kanë bërë shqiptarët dhe grekët për njëri-tjetrin.
 
“Do të ishte fyese nëse do të përmendte me krenari një shqiptar që i kishte bërë keq Greqisë, por jo një që u ndodh në vendin e duhur dhe në orën e duhur për ta shpëtuar”, deklaroi kryeministri Rama.
 
I pyetur se çfarë fshihet pas termit “Shqipëri natyrale”, kreu i ekzekutivit shqiptar ka hedhur poshtë zërat se ekziston një plan për Shqipërinë e natyrale.
 
“Kjo shprehje nuk është e jona. Shqipëria natyrale është Shqipëria europiane, është ajo pjesë e Bashkimit Europian që do të na përmbledhë të gjithëve në të ardhmen dhe atëherë kufijtë nuk do të kenë kuptim”, vijoi shefi i qeverisë shqiptare.
 
Gjithashtu ai ka pohuar se nuk ka asnjë hartë të Shqipërisë së Madhe në librat tona, por vetëm hartë me vendet ku jetojnë shqiptarët në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni.

“Athina nuk duhet të mërzitet kur ne përmendim Çamërinë, por duhet të shohim se nuk është njerëzore që të moshuar 80-vjeçarë që kanë lindur aty nuk lejohen të shkojnë të shohin shtëpitë e tyre dhe ndalohen në kufij”, tha kryeministri shqiptar.
 
Rama që ka theksuar disa herë se duke mos i zgjidhur problemet që i kemi trashëguar nga e kaluara, Shqipëria dhe Greqia u jep ushqim nacionalistëve. Ai i është referuar edhe paradoksit të ekzistencës së ligjit të luftës, ndërkohë që Athina thotë se ka një marrëveshje miqësie që e zhvlerëson atë.

Gjithashtu ka mohuar teoritë e konspiracionit se pas çuarjes në gjykatë të marrëveshjes së kufijve detarë qëndron Ankaraja duke theksuar se nuk ka pasur asnjë lidhje me presidentin Erdogan deri pranë zgjedhjeve kur erdhën në pushtet socialistët.
 
Edhe për çështjen e shembjes së shtëpive në Himare ai ka përsëritur se është vepruar njësoj si për gjithë shtëpitë e paligjshme në Shqipëri, duke theksuar se në çdo shtet çdo minoritet u nënshtrohet ligjeve të vendit.
 
“Ne nuk kemi frikë se Greqia mund të vendosë veto për hapjen e negociatave për integrimin e Shqipërisë pasi nuk ka asnjë arsye. Ne duam të jemi pjesë e Europës, dhe jo të jemi të izoluar nacionalisht ,duam një shoqëri të hapur dhe jo të ndryshojmë kufijtë, nuk duam ta bëjmë Shqipërinë më të madhe gjeografikisht, por ta bëjmë më shumë demokratike dhe më të begatë”, përfundoi Rama.

LEXO INTERVISTËN E PLOTË

Top Channel