Flamurtari nuk bie nga kategoria, marrëveshje në limitet kohore

22/11/2016 00:00

Një ditë përpara skadimit të afatit 12-ditor, i cili do të zbriste Flamurtarin një kategori më poshtë për mospagim të detyrimeve ndaj 3 lojtarëve, Veliu, Sakaj dhe Arbri, klubi ka arritur një marrëveshje me këta futbollistë, për të cilët Disiplina e penalizoi klubin vlonjat me 6 pikë të hequra në klasifikim.

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi kishte këmbëngulur në atë periudhë për parregullsi në kërkesën dhe penalizimin e bërë nga Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Futbollit.

Gjithsesi, duket që drejtuesit vlonjatë, pasi janë penalizuar duke rezultuar se qëndrimi i tyre ishte një kapriço, janë dorëzuar duke arritur të bindin lojtarët të bëjnë një marrëveshje.

Sipas kësaj marrëveshjeje, të tre këta lojtarë kanë marrë një pjesë të borxhit që klubi i ka, duke kërkuar ndalimin e penalizimeve të mëtejshme.

Gjithsesi Top Channel mëson se ky lloj pezullimi i çështjes mbetet i përkohshëm dhe me afat. Sipas tij, afati i dytë që lojtaret të shlyhen përfundimisht është lënë fundi i muajit janar të vitit 2017.

Paratë për këstet e para të dhëna flitet të jenë marrë nga e drejta televizive që prej kohesh skuadra vlonjate mbante të bllokuara nga FSHF.

Të tre lojtarëve klubi i Flamurtarit u ka një borxh prej 150 mijë eurosh.

Ndërkohë që edhe lojtarët e tjerë të cilët kanë paga të prapambetura do t’i marrin ato në të njëjtën mënyrë si futbollistët Veliu, Sakaj dhe Arbri.

Top Channel