Basha në Elbasan: Qeveria u largua nga njerëzit, njerëzit do largojnë qeverinë

22/11/2016 00:00

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha është takuar me banorët e fshatit Mjekës të Elbasanit, ku tha se qeveria është larguar nga njerëzit, por janë njerëzit ata që do e largojnë këtë qeveri.

“Lekë për avion privat ka, lekë për ekspozita ka por lekë për ju nuk ka. Lekë për vaksina nuk ka, lekë për subvensione nuk ka, lekë për pensione nuk ka. Pse?! Sepse i ka marrë të gjitha për vete. Kaq e thjeshtë është. Kjo është e vërteta. Kjo është një qeveri dhe një kryeministër që mendon vetëm për vete. I ka harruar njerëzit. I ka vënë vizën njerëzve. Programi jonë është për subvencione të drejtpërdrejta për fermerin; pa nipt, pa burokraci, në varësi të prodhimit bujqësor apo blegtoral shteti tu financojë drejtpërdrejtë me para në dorë. Por ju duhet ta kuptoni dhe jam i sigurtë që e kuptoni që këtu nuk bëhet fjalë për zgjidhje teknike por kjo ka nevojë për vullnet politik. Nëse qeverisja u kthehet njerëzve, nëse buxheti vihet në funksionin tuaj, nëse shteti nuk mendon vetëm tu vendosë taksa dhe këto para ti vjedhë, por mendon se si t’u vijë në ndihmë, atëherë sigurisht që ka zgjidhje. Bashkë të ndërtojmë një qeverisje për ju. Por padyshim që hapi i parë është të largojmë këtë qeveri e të sigurojmë zgjedhje të lira e të ndershme se me këtë qeveri nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Basha.

Fshati Mjekës është goditur nga dermatoza e kafshëve. Zona ka pak tokë të punueshme dhe fermerët janë mbështetur tek blegtoria. Sipas Bashës, gjithçka po ndodh pasi qeveria nuk i ka siguruar vaksinat e nevojshme.

Top Channel