Evi Reci në “La Repubblica”, si arriti deri aty, me “mik” apo pa “mik”?

18/11/2016 00:00

Evi Reçi publikoi ditë më parë projektin më të ri muzikor të titulluar “In My Room”. Për të folur më shumë për këtë projekt të ri muzikor, ajo ishte e ftuar në “Top Show Mag”, por jo vetëm.

Evi tashmë është pjesë e redaksisë tek “Repubblica” e Firences. Aty ajo shkruan për çdo gjë, nga aktualiteti, arti, eventet deri edhe tek kronikat. Përveçse shkruan artikuj, Evi thotë se merret shumë dhe me imazhet që përdoren në artikuj apo galeritë fotografike për uebsajtin e gazetës.

Por, si arriti ajo deri aty, me “mik” apo pa “mik”?

“Ju them pastaj”, thotë me qeshur ajo. “Asnjë mik nuk kam futur, për mua ka qenë shumë e çuditshme sepse unë thjesht kam dërguar një CV sepse doja të bëja një eksperiencë në një gazetë prestigjioze. Fillova duke i bërë pak nga të gjitha se isha më e reja dhe e vetmja e huaj”, tregon Evi.

Ajo më pas kujton edhe ditën e parë, kur iu fut punës menjëherë, edhe pse ajo vetë nuk e priste fare.

“Në fakt e prisja kur do më thoshin shko bëj fotokopjet, ndërkohë që nuk ndodhi. Në ditën e parë më thanë se kanë ardhur disa njoftime për evente dhe bëj artikull, unë ngela se thash duhet të futem direkt në punë. Aty ka gazetarë me shumë eksperiencë, unë jam më e reja, dhe më ndihmuan shumë. Ndihem shumë me fat dhe që ditën e parë kur mora telefonatën, them të drejtën, nuk e besova, është shumë banale si frazë, por nuk e beson, thua për çfarë më duan, mos më kanë ngatërruar numrin”, shprehet me të qeshur ajo.

Por, sa e ka rrogën Evi tek “Republica”?

“Kjo është një pyetje tamam shqiptare. Nuk do ta them, por jam e kënaqur me aq sa paguhem”, thotë me Evi.

Top Channel