Ronaldo-Messi, sfida e radhës në Globe Soccer Awards

17/11/2016 00:00

Cristiano Ronaldo e Lionel Messi do të garojnë mes tyre për një tjetër çmim individual, Globe Soccer Awards. Ylli i Realit të Madridit dhe ai i Barcelonës janë 2 prej kandidaturave për futbollistin më të mirë në ceremoninë që do të zhvillohet në 27 dhjetor në Dubai.

Në garë për këtë trofe do të jenë edhe Griezmann, Bale, Vardy dhe Higuain. Ndërkaq, Globe Soccer Awards ka përcaktuar edhe kandidatët për trofeun e trajnerit më të mirë dhe ata  janë Zidane, Ranieri, Fernando Santos, Alegri  dhe Unai Emeri.

Në kategorinë e skuadrës më të mirë të vitit te nominuar janë Real Madrid, Legia Varshavë, Leicester, Sevilla dhe Molde. Po kështu në ceremoninë e 27 dhjetorit do të jepet edhe një çmim për arbitrin më të mirë ku mes pretendenteve spikat emri i Mark Clattenburg.

Ceremonia e Globe Soccer Awards ka filluar të organizohet në vitin 2010 ku si fitues spikasin emrat e Falcaos në 2012, Ribery në 2013, Ronaldos në 2014 dhe Messit në 2015.

Top Channel