Ulet 3.5 herë buxheti për sportin. Ankohen federatat

15/11/2016 00:00

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka qenë i pranishëm në debatin e zhvilluar në Komisionin Parlamentar, “Për edukimin dhe mjetet e informimit publik”, në lidhje me ndryshimet në Ligjin për Sportit.

Veç tij, kanë qenë të pranishëm edhe disa përfaqësues të federatave të tjera, të cilët kanë diskutuar përpara se ligji të çohet në Parlament për t’u votuar. Pika kyçe në të cilën është ndalur numri 1 i futbollit shqiptar ka qenë ulja e buxhetit të parashikuar për sportin.

“Buxheti i shtetit shqiptar nuk është minimal, është aq pak sa më mirë të bëhet zero. Është më i vogli nga të gjithë buxhetet e Europës”, tha Duka.

Në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm sporti është parashikuar të përfitojë 186.6 milionë dhe krahasuar me vitin e shkuar, që ishte 658.5 milionë lekë, ka një ulje të dukshme. Shkak me sa duket janë bërë invenstimet në infrasturkturën sportive në këto vitet e fundit, ku në disa prej tyre ka kontribuar edhe qeveria shqiptare.

Gjithsesi, kjo nuk ka qenë e vetmja pikë e diskutueshme sipas presidenti të FSHF-së, i cili, ndryshe nga specialistët mendon se problemet e sportit nuk rregullohen thjesht me ndërhyrje në ligj, por kërkohet një paketë ligjore më vete.

Top Channel