Kthesa ‘pro’ Moskës, rritet ndikimi në Europën Lindore

15/11/2016 00:00

Rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Bullgari dhe Moldavi, ku triumfuan kandidate ‘pro’ Moskës, nuk është një ogur i mirë për Perëndimin.

Megjithatë, thotë Robert Zhvarc i DW, këto zhvillime të reja politike nuk duhet të jenë suprizuese as për vendimmarrësit në BE dhe as për ata të aleancës mbrojtëse të Atlantikut të Veriut.

Një çerek shekulli pas rënies së Perdes së Hekurt gjithnjë e më shumë njerëz nga ish-blloku lindor janë zhgënjyer prej Perëndimit.

Entuziazmi fillestar për Europën është pasuar nga zhgënjimi, që është kthyer në një tokë perfekte pjellore për tendencat populiste e nacionaliste. Çekia, Sllovakia dhe Hungaria ka disa kohë që flirtojnë me Rusinë e kanë mbajtur të hapur opsionin e afërsisë me Moskën, pa vrarë mendjen për konsensusin në Bruksel.

Edhe vendet sllavo-ortodokse të Ballkanit Perëndimor pavarësisht përpjekjeve për integrim në BE nuk duan të prishen me vëllain e madh në Moskë. Putin me rafinesë ka ditur që t’i shfrytëzojë këto varësi ekonomike e kryesisht ato në fushën e energjetikës për qëllime politike. Suksesi është i dukshëm: zgjedhjet fitohen gjithnjë e më shumë prej politikanëve miqësore ndaj Rusisë.

Përballë këtyre zhvillimeve e gjithashtu paqëndrushemërisë së NATO-s dhe premtimeve për ndryshime vendimtare nën presidencën e Trumpit, Europa duhet te konceptoje një strategji të re.

Ndonëse ka konsensus në aleancë për forcimin e krahut lindor, jo të gjitha shtetet duan të bashkëveprojnë në të njëjtën masë. Vendet e Balltikut, Polonia dhe Rumania janë të vetmet shtete në lindje të Europës, që janë të lidhura ngushtë me SHBA-në dhe përgatiten në mënyrë aktive ndaj ndonjë kërcënimi të mundshëm ushtarak prej Rusisë.

Në Ballkanin Perëndimor vetëm Shqipëria dhe Kroacia nuk i përkasin sferës së influencës së Moskës, thotë Shvarc. Ai zgjidhjen e sheh tek çmitizimi i propagandës së mediave ruse përmes informacioneve dhe analizave objektive dhe tek përcjellja e një mesazhi bindës se BE-ja dhe NATO duan të forcojnë gatishmërinë e tyre për kompromis.

Vetëm për të ruajtur pushtetin e tij, Putini duhet ta kuptojë, që është më e mençur që të kthehet në tryezën e bisedimeve, vijon analisti.

Top Channel