Ahmetaj reagon ndaj Bashës: 100 milionë lekë më pak për pajisjet

14/11/2016 00:00

Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të PD-së, Lulzim Basha, lidhur me shpenzimet e buxhetit 2017.

Ahmetaj thotë se shpenzimet për rikonstruksione dhe pajisje në 2017 do të jenë 100 milionë lekë më pak se në 2012, kohë kur qeveriste PD.

Një ditë më parë, Basha tha se në buxhetin e vitit të ardhshëm 25 milionë dollarë janë vetëm për zyra, faësada dhe kolltuqe.

“Shqipëria e ka lënë pas gropën e thellë ekonomike ku e la Sali Berisha. Buxheti 2017 shpërblen sakrificën e qytetarëve dhe mbështetjen e tyre për reformat e vështira”, thekson z. Ahmetaj.

Buxheti 2017, një vit elektoral, parashikon 74.4 miliardë lekë per investime ku rreth 90.2% shkon për financimin e projekteve në vazhdim. Buxheti i vitit të ardhshëm, është buxheti që fokusohet në përfundimin e projekteve.

“Administratorit të SHQUP që ia mirëkuptoj dobësitë për projektet në transport dhe infrastrukturë, do t’i sqaroj cfarë ndodh me projektet në Buxhetin 2017 dhe cfarë ndodhte në 2013, kur ai dhe qeveria e tij ndërtonin rrugën e Kombit me faturë 1.4 miliardë euro dhe nuk e mbyllën, 1.4 miliardë euro nga xhepat e qytetarëve ashtu si shumë miliarda të tjera të cuara dëm, si asfalti i tij elektoral”, vijon më tej ministri i Financave.

Top Channel