Kosova bëhet me kod telefonik

13/11/2016 00:00

Edhe Kosova do të ketë kodin e saj telefonik që është +383. Kodi do të bëhet efektiv pas datës 15 dhjetor. Gjithë kodet e tjera që ka Kosova nuk do të përdoren më pas kësaj date.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e cila tha se me Serbinë është arritur marrëveshja për këtë çështje. Negociata e Kosovës me Serbinë për telekomunikacionin kanë zgjatur rreth 6 vjet.

Në këmbim të kodit sovran, Kosova është detyruar të jap një leje të përkohshme dhe të kufizuar për një shoqëri të telefonisë së lëvizshme “mts.do”. E njëjta kompani do të autorizohet edhe për operim në telefoninë fikse.

Sipas qeverisë së Kosovës, marrja e kodit është një arritje në krijimin e identitetit të shtetit në fushën e telefonisë. Me këtë marrëveshje vendoset edhe kufiri i frekuencave mes Kosovës dhe Serbisë dhe ulen kostot financiare të kompanive kosovare.

Top Channel