Afganistan, dy të vdekur dhe 84 të plagosur nga sulmi ndaj konsullatës gjermane

10/11/2016 00:00

Kryengritës talebanë kanë goditur këtë të enjte konsullatën gjermane në qytetin verior afgan të Mazar-e-Sharif, duke lënë të paktën dy persona të vdekur dhe duke plagosur të paktën 84 persona të tjerë.

Sayid Sarwar Hussaini, zëdhënës i policisë rajonale në qytetin e konsideruar qendër tregtare, tha se dy shpërthime kanë ndodhur në hotelin “Mazar”, të cilin diplomatët gjermanë e shfrytëzojnë si konsullatë të tyren në këtë qytet.

Nga sa raportohet, ka qenë pikërisht një shpërthim i një automjeti të mbushur me eksplozivë ai që nisi sulmin, e më pas një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur brenda hotelit.

Luftimet janë duke vijuar në zonën përreth me të shtëna që janë dëgjuar deri në spitalin më të afërt, sipas zyrtarëve afganë. Një zëdhënës i talebanëve, Zabihullah Mujahid, mori përsipër përgjegjësinë e sulmit dhe tha se ai ishte ndërmarrë në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmeve ajrore në Kunduz gjatë javës së kaluar.

Mirwais Rabee, kreu i Departamentit të Shëndetit Publik në provincën Balkh, që përfshin edhe qytetin Mazar-e-Sharif, tha se të vdekurit dhe të plagosurit janë transferuar në spitalin rajonal.

Ambasadori gjerman në Afganistan, Walter Hassman konfirmoi se incidenti është “duke vijuar”, por nuk dha detaje të mëtejshme. Banorë të qytetet thanë se kishin dëgjuar një shpërthim të fuqishëm pranë konsullatës, ndërsa ndërtesave përreth iu thyen xhamat.

Gjermania ka 938 ushtarë të vendosur në Afganistan, shumica e të cilëve në Balkh, si pjesë e misionit të mbështetjes së vendosur të NATO-s. Trupat e koalicionit janë duke e hetuar rastin, deklaroi më tej një zëdhënës i NATO-s.

Top Channel