Gjyqi ndaj Almir Dacit, drejt dështimit procesi për të vrarin në Siri

09/11/2016 00:00

Që prej muajit korrik Gjykata e Krimeve të rënda është në pritje të dy dëshmitarëve të cilët duhet të rrëfehen para trupës gjyqësore në procesin kundër Almir Dacit, i njohur ndryshe si Ebu Beliksa.

Megjithëse i pandehuri rezulton të jetë vrarë në Siri, ka shtatë seanca që procesi po dështon nga pamundësia e gjetjes së dëshmitarëve.

Burimet e Top Channel thanë se çifti ka dijeni për mënyrën se si u indoktrinua nga Daci e më pas u dërgua për luftime në Siri familjari i tyre. Nga kërkimet e policisë në komisariatin numër dy, rezultonte se dëshmitarët jetonin në Tiranë.

Por dyshohet se për t’ju shmangur dhënies së dëshmisë, ata kanë shitur shtëpinë. Me shumë mundësi, shtuan burimet, çifti mund të jetë kërcënuar.

Prokuroria ka dalë në këtë konkluzion nisur nga fakti se ne një proces të ngjashëm kundër nëntë të dënuarve me 120 burg për implikimin e tyre në terrorizëm, disa dëshmitarë janë kontaktuar nga persona të paidentifikuar për të mos dëshmuar.

Gjatë seancës kundër imamit të Leshnicës Almir Daci, Gjykata theksoi se ka informacione policore se pas shitjes së banesës çifti i dëshmitarëve është zhvendosur në një zonë tjetër.

Për këtë arsye ju kërkua komisariarit numër tre që të gjejë adresën. Procesi ndaj Almir Dacit nuk mund të pushohet pasi nuk ka një cerfitikatë që vërteton vrasjen e tij gjatë luftimeve përkrah ISIS në Siri. Ndërkohë është pyetur më herët si dëshmitar edhe i dënuari i dosjes “Imamët”, Bujar Hysa.

Cështja e imamëve të vetëshpallur që dyshohet se rekrutonin shtetas shqiptarë duke i dërguar me luftime në Siri u hap më shumë se  dy vjet më parë.

Pas shpalljes fajtore të nëntë të arrestuarve, antiterrori vijon të kryejne arrestime siç është edhe dërgimi në paraburgim i Ergys Faslisë, Bekim Protopapës, Xhezair Fishtit dhe Medat Hasanit.

Ata shfaqen në përgjimet telefonike si të angazhuar për të kryer goditje me armë e eksploziv, siç janë shprehur ata, ndaj dhe u arrestuan pak orë para lumnimit të 38 martirëve të kishës katolike dhe një javë para ndeshjes Shqiperi-Izrael.

Por burimet thonë se nuk mund të flitet ende për rolin e secilit, ndonëse në përgjime shfaqen edhe disa të tjerë pas dënimit nga drejtësia të imamëve që flasin për hakmarrje.

Top Channel