Vërshimi i lumenjve, Veliaj mbledh krerët e njësive administrative

09/11/2016 00:00

Vërshimi i lumenjve dhe përrenjve nga shirat e rrëmbyeshëm nxorri të palarat e edukatës qytetare për t’i hedhur mbeturinat në vendin e duhur.

Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj deklaroi se janë konstatuar 600 tonë mbetje, kryesisht qese plastike të cilat janë nxjerrë me ekskavatorë.

Në një mbledhje me 24 administratorët e territorit të Tiranës, Veliaj kërkoi anagzhim maksimal për aksionin e pastrimit të kryeqytetit të dielën më 13 nëntor.

“Ne vërtet nuk kemi çfarë t’i bëjmë shiut dhe një infrastrukture që ka që në vitet ‘60 dhe duhen vite të tëra investime për ta rinovuar, por plehrave kemi çfarë t’iu bëjmë. Mjafton t’i hedhim në vendin e duhur dhe të mos ndotim Tiranën. Fokusi më i madh do të jetë në shtretërit e lumenjve, ku do të përqendrohen mjetet motorike të bashkisë, si dhe kopshtet, çerdhet dhe ambjentet që frekuentohen nga qytetarët”, deklaroi Veliaj.

Veliaj u kërkoi të gjitha kompanive që kanë kontrata me Bashkine e Tiranës që të vënë në dispozicion makineritë e tyre të dielën.

“Të përfshihen të gjitha kompanitë që kanë kontrata me bashkinë. Kush fiton qoftë edhe 1 qindarkë nga bashkia duhet të paraqitet të dielën me makinat, kamionët dhe ekskavatorët në të gjitha pikat”, theksoi Veliaj.

Muaji dhjetor, tha Veliaj, do të jetë muaji i mbjelljes së pemëve, ndërkohë që u kërkoi administratorëve të angazhohen edhe për zbukurimet e fundvitit në territoret që menaxhojnë.

Ai kërkoi gjithashtu të nisin konsultat publike me komunitetet në lidhje me investimet që do të bëhen me buxhetin e vitit 2017.

Top Channel