NBA, Stephen Curry vendos rekord të ri

08/11/2016 00:00

Stephen Curry përjetoi një mbrëmje magjike në ndeshjen mes Golden State dhe New Orleans. Basketbollisti i Warriors, shkroi serish emrin e tij në librin e rekordeve të NBA duke shënuar në 13 tentativa nga distanca e 3 pikëve duke lënë pas emra të tillë si Kobe Bryant e Donyell Marshall që ishin ndalur me 12 gjuajtje të sakta për 3 pikë brenda një ndeshjeje.

Por jo vetëm kaq, bilanci i këtij lojtari i shpallur si MVP i sezonit të kaluar, u mbyll me 46 pikë të shënuara në këtë përballje mes Golden State dhe Pelicans e përfunduar 116-106 në favor të Warriors.

Në sezonin 2015/2016 Curry vendosi edhe një rekord tjetër, atë të numrit më të lartë të gjuajtjeve të sakta për 3 pikë brenda një sezoni me 402 të tilla, që do të thotë se mesatarisht ai u tregua i saktë në 5 tentativa për 3 pikë në çdo ndeshje. Duke u kthyer te sfida mes Golden State dhe New Orleans, nuk ishte vetëm Curry që shkëlqeu në parket. Spikatën gjithashtu edhe Thompson me 24 pikë e Kevin Durant me 22.

Los Angeles Clippers mundi Detroit 114-82 duke regjistruar fitoren e gjashtë në këtë sezon. Chris Paul ishte në një ditë të shkëlqyer duke e ndihmuar skuadrën kaliforniane të fitonte këtë përballje me 24 pikë dhe 8 assist, ndërkohë që dha ndihmesën e tij edhe Reddick me 20 pikë.

Fitoren e gjashtë sezonale shënoi edhe Oklahoma që mundi Miamin, për të cilin kjo ishte disfata e 4 radhazi. Chicago u rikthye te fitorja pas 3 humbjeve radhazi. Skuadra nga Illinois  shkatërroi Orlandon 112-80 falë 20 pikëve të Butler dhe 16 të Wade.

Top Channel