Meta: LSI fitoi nivel organizimi e pjekuri politike

07/11/2016 00:00

Kryeparlamentari Ilir Meta me 76 përqind të votave arriti të rizgjidhet sërish në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nga Gjermania ku ai ndodhet për një vizitë zyrtare, Meta falenderoi votuesit me anë të një videomesazhi.

Ai vlerësoi se kjo pjesëmarrje konfirmon qartësisht lidhjen e vendosur dhe të qëndrueshme me LSI-në.

“Kam kënaqësinë e jashtëzakonshme të falënderoj të gjithë anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët morën pjesë dje në një proces shembullor të votimit për zgjedhjen e kryetarit, por edhe të delegatëve për në Konventën Kombëtare Zgjedhore të LSI-së. Në mënyrë të veçantë dua t’i falënderoj për pjesëmarrjen mjaft të lartë dhe për konfirmimin e qartë të lidhjes së tyre të vendosur dhe të qëndrueshme me LSI-në”, tha Kryetari i LSI-së, teksa vlerësoi veçanërisht dy kandidatët e tjerë në garë si edhe të gjithë njerëzit që u kujdesën për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Dua të falënderoj njëkohësisht të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit të cilët u kujdesën për mbarëvajtjen e këtij procesi. Njëkohësisht dua të falënderoj edhe dy kolegët e mi, kandidatët për kryetar, z. Rrokaj dhe z. Spahiu, pasi ata dhanë gjithashtu një kontributit të rëndësishëm për të bërë këtë garë edhe më aktive dhe më interesante dhe për të nxitur rritjen e kësaj pjesëmarrjeje”, shtoi Meta.

Gjithashtu, Kryetari i LSI-së shprehu bindjen se nga ky proces e gjithë LSI-ja ka fituar një nivel të ri të organizimit të saj dhe se në Konventës Zgjedhore të LSI-së do të diskutohen dhe do të merren vendime të rëndësishme që shkojnë në përputhje me aspiratat e të gjithë atyre anëtarëve që votuan.       

“Jam i bindur se nga ky proces e gjithë LSI-ja ka fituar një nivel të ri të organizimit të saj, të pjekurisë së saj politike, të kulturës së saj demokratike. Tani është momenti që këtë pjesëmarrje, këtë inkurajim, që na ka dhënë në një shkallë mjaft të lartë anëtarësia e LSI-së, ta çojmë akoma më përpara drejt Konventës së re Zgjedhore të LSI-së në datat 3-4 dhjetor, ku ne së bashku do të diskutojmë, do të kuvendojmë dhe do të marrim vendime të rëndësishme. Vendime të cilat shkojnë në përputhje me aspiratat e të gjithë atyre anëtarëve që votuan dje për një LSI gjithnjë e më të hapur, për një LSI gjithnjë e më gjithëpërfshirëse. Për një LSI e cila përmes rritjes së saj kontribuon për rritjen e stabilitetit në vend dhje për përshpejtimin e procesit të integrimit europian të vendit”, deklaroi Meta në mesazhin e tij.

Top Channel