Inter, Icardi shkëlqen. 10 gola në 12 javë, ndryshe nga viti i kaluar

07/11/2016 00:00

Interi i sivjetshëm në Serie A mund të ketë pasur probleme të shumta dhe rezultate jo aq të kënaqshme, gjë që bëri të largohej përpara kohe edhe trajneri holandez De Boer. Por, zikaltrit kanë një lojtar që ua mban shpresat gjallë për një të ardhme edhe më të mirë.

Mauro Icardi, autor i një dygolëshi në fitoren 3-0 të Interit ndaj Crotones së vendit të fundit, ka arritur tashmë në kuotën e 10 golave në vetëm 12 javë kampionati, duke qenë “lokomotiva” e një Interi në telashe. Argjentinasi i këtij sezoni duket shumë herë më mirë sesa vjet, kur arrinte kuotën e 10 golave vetëm në muajin shkurt, apo pas 22 javësh kampionati.

“Unë bëj detyrën time, pra shënoj gola”, thotë kapiteni i Interit pas fitores me Crotonen. “Kemi shkuar shumë herë përpara portës, kemi shfrytëzuar disa prej rasteve, kështu që fitorja jonë ishte e padiskutueshme dhe e merituar. Duhej një rezultat i tillë për të sjellë paksa qetësi në grup”.

E megjithëse ka një produktivitet shumë herë më të mirë sivjet, trajneri Bauza nuk e ka grumbulluar me kombëtaren e Argjentinës. Gjithsesi, për kapitenin zikaltër, rëndësi ka të përqëndrohet dhe të jetë gjithnjë në dispozicion të trajnerit – me shumë gjasë, – Stefano Pioli, i cili duket se merr edhe bekimin e argjentinasit.

“Mund të garantoj këdo se nuk do të ketë probleme. E kam thënë gjithmonë, këtu kemi djem të mrekullueshëm. Jemi një grup i ri, të cilit ndonjëherë i mungon dinakëria në fushën e lojës, apo në stërvitje, por kjo gjë duhet dhe do të rregullohet me kontributin e të gjithëve”.

Top Channel