Flamurtari ‘me probleme’ mposht Skënderbeun

05/11/2016 00:00

Në momentin më të diskutueshëm, skuadra vlonjate e Flamurtarit bën surprizën në fushën e saj duke mundur 2-0 kampionët e Skëndërbeut. Kur përflitet heqja e pikëve për vlonjatët, në fushë ata i janë rikthyer suksesit duke mundur një nga skuadrat më të mira të kampionatit.

Ka qenë Donjet Shkodra që ka shënuar një supergol që në minutën e 9-të pas një asisti perfekt të Danilo Alvesh. Braziliani ka qenë ndër lojtarët më të mirë të kësaj ndeshjeje duke i sjell shumë herë probleme Skëndërbeut, i cili në prapavijë ka treguar shumë probleme.

Pa u mbyllur pjesa e parë Flamurtari shënon edhe golin e dytë me Bushiç, ndërkohë që çuditërisht 6 herë radhazi Kampionët e Shqipërisë nuk mundën të reagonin e të bënin asgjë përballë Flamurtarit, i cili u shkaktoi humbjen e dytë sezonale ë Superligë, ndërkohë që vetë vlonjatët morën fitoren e tretë në 10 javë, duke u ngjitur përkohësisht në vendin e pestë me 12 pikë.

Luftëtari dhe Partizani kanë ndarë nga 1 pikë në takimin e parë që vendasit zhvillonin në këtë sezon në Gjirokastër.

Goli i Bregut dhe më pas i Ibrahimit vendosën fatet e takimit që u mbyll në shifrat 1-1. Sulmuesi vlonjat sërish shndërrohet në protagonist për Luftëtarin, por pavarësisht përpjekjeve nuk ja kanë dalë të marrin më tepër se një barazim në këtë ndeshje të javës së 10-të të Superligës.

Partizani ngjitet në kuotën e 19 pikëve, ndërsa gjirokastritët shkojnë në 11 pikë, provizorisht në vendin e gjashtë.

Laçi ka fituar takimin e parë të fazës së dytë duke mundur në një duel direkt kundërshtarin për mbijetesë, Korabin, për të thelluar krizën e skuadrës dibrane që mbyll klasifikimin e Superiores.

Pritej një reagim nga ana e Korabit, pas largimit të trajnerit Mërgjyshi, por asgjë nuk ka ndryshuar te kjo skuadër, e cila dhuroi një lojë shumë të dobët dhe thuajse asnjëherë nuk rrezikoi portën e vendasve.

Goli i Celshakës ka vendosur gjithçka në këtë takim që u jep 3 pikë shumë të rëndësishme kurbinasve.

Top Channel