Fshesa “Erdogan”, reagime pas arrestimit të 11 deputetëve kurdë

04/11/2016 00:00

Shefi i diplomacisë gjermane, Frank-Walter Steinmeier dënoi ashpër shpërthimin e një autobombe, që mori 9 jetë njerëzish në Juglindje të Turqisë, por ai kujtoi nga ana tjetër se lufta e Ankarasë kundër terrorizmit nuk mund të justifikohet me mbylljen e gojës së kundërshtarëve politikë.

Steinmeier iu referua me këtë të fundit arrestimit të një duzine ligjvënësish të Partise Demokratike Popullore, “HDP”-së prokurde.

“T’i detyrosh rivalët të heshtin apo t’i hedhësh prapa hekurave nuk justifikohet me asgjë. Kam qenë gjithmonë mbështetës i Turqisë në dëshirën e saj për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, por ekzekutivi turk duhet ta bëjë të qartë se në çfarë drejtimi po lëviz dhe se çfarë do të thotë kjo për marrëdhëniet e tij me BE-në”, tha Frank-Walter Steinmeier.

Shpërthimi, nga i cili mbetën të plagosur edhe 100 vetë, erdhi disa orë pas ndalimit të udhëheqësve të partisë më të madhe kurde nga autoritetet turke. Ai ndodhi në afërsi të stacionit të policisë në Diyarbakir, ku disa nga udhëheqësit politikë kurdë po mbaheshin nën akuzën për terrorizëm.

Sipas një zëdhënësi të “HDP”-së, forca e dytë më e madhe opozitare në Parlamentin turk, prangosja e dy krerëve të partisë dhe të paktën 9 deputetëve të tjerë rrezikon të nxisë një luftë civile.

Top Channel