Kompensimi i pronave, 24 mln USD dhe 23 mijë Ha tokë për ish-pronarët

04/11/2016 00:00

Në Agjencinë e Trajtimit të Pronave ka nisur kompensimi fizik dhe financiar për vendimet e dhëna në vitet 93-94. Pasi bëhet vlerësimi ekonomik nga agjencia dhe shpallja në buletinin e posaçëm, ish-pronarët mund të aplikojnë me një set minimal dokumentesh.

“Janë thjesht dy deklarata noteriale ku deklarohet se nuk kanë përfituar nga ligji 7501, apo nëse kanë përfituar ta deklarojnë këtë në forma të tjera kompensimi, gjatë kësaj periudhe 23 vjeçare të funksionimit të këtij procesi. Gjithashtu edhe dy dokumente të tjera si akte trashëgimie apo prokurë e posaçme”, tha Sonila Qato.

Deri tani janë vlerësuar dhe proceduar  rreth 300 dosje, nga të cilat 34 kanë marrë kompesimin në masën 100%. Për tokën truall në momentin e shpronësimit do të bëhet kompensim financiar, ndërsa për atë bujqësore dhe pyjet kompensim fizik.

“Kompensim financiar përfitojnë vendimet për kompensim që kanë njohur tokën truall në momentin e shpronësimit, ndërsa kompensim fizik do të trajtohen të gjitha tokat bujqësore, pyjet dhe kullotat, të cilat janë njohur si të tilla me vendim komisioni në momentin e shpronësimit të tyre”, tha Qato.

Agjencia e Trajtimit të Pronave ka deri më tani në dispozicon një fond financiar prej 24 milionë dollarësh dhe fizik prej 23 mijë hektarësh. Që të dy fondet pritet të rriten gradualisht.

Top Channel