Gashi “Golden boot”, sulmuesi, tjetër arritje në SHBA

02/11/2016 00:00

Kush kishte dyshime se Shkëlzen Gashi do të vuante ndryshimin në një kampionat krejt të kundërt me ligat europiane të futbollit është penduar shpejt pasi bomberi i kombëtares shqiptare të futbollit, vazhdon të koleksionojë arritje në MLS. Futbollisti që është lënë në harresë nga trajneri Gianni De Biasi në eliminatoret e fundit të botërorit ka marrë një tjetër çmim nga skuadra amerikane Colorado Rapids.

Sulmuesi kosovar, i cili para një jave fitoi çmimin e lojtarit të vitit tek skuadra e tij, tani ka fituar edhe “Këpucën e Artë” dhe çmimin e lojtarit më të mirë nga tifozët. Vetë futbollisti ndau momentet e mira me tifozët në rrjetet sociale duke nënvizuar krenarinë për arritjen që në vitin e parë me Rapids.

I lindur në Zyrih në 15 Korrik 1988, Shkëlzen Gashi u aktivizua me të gjitha ekipet e moshave të Zvicrës para se të vendoste për të përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Sulmuesi kosovar u largua nga kampionët e Basel për të luajtur në SHBA me Colorado-n, edhe pse kishte shumë oferta nga klubet europiane.

Top Channel