Ndryshimet klimatike, Kina kritikon planin e Trump për t’u tërhequr nga pakti i Parisit

01/11/2016 00:00

Në një lëvizje të rallë, Kina ka refuzuar këtë të martë planin e kandidatit republikan për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, për t’u tërhequr nga pakti global mbi ndryshimet klimatike, duke thënë se një udhëheqës i zgjuar politik duhet t’i hartojë politikat e tij në një linjë me trendin global. Ky përbën një koment tepër të rrallë sa u përket zgjedhjeve të një vendi të huaj, nga Kina.

“Bota po ecën drejt balancimit të mbrojtjes së mjedisit dhe rritjes ekonomike”, tha kryenegociatori i Kinës për ndryshimet klimatike, në përgjigjen ndaj pyetjes se, si do të punojë Kina me administratën e drejtuar nga Trumpi mbi paktin global.

“Nëse ata i bëjnë rezistencë këtij trendi, nuk besoj se do të fitojnë mbështetjen e popullit, ndërkohë që edhe progresi ekonomik e social i vendit të tyre do të preket nga kjo”, u shpreh Xie Zhenhua. “Besoj se një udhëheqës i zgjuar politik duhet të mbajë qëndrime politike në përputhje me trendet globale”, tha shefi veteran i Kinës për çështjet e klimës.

Trump ka kërcënuar se do të refuzojë “Marrëveshjen e Parisit”, një akord global i negociuar nga afro 200 qeveri për të luftuar ndaj ndryshimeve klimatike, pakt që do të hyjë në fuqi ditën e premte.

Zyrtarët kinezë janë shfaqur shpeshherë në mëdyshje për të ndërhyrë në zgjedhjet e të tjerëve, megjithatë, ata duket se do të mbrojnë politikat kineze kur këto të fundit sulmohen nga platformat politike të kandidatëve të huaj.

Komentet e Xie erdhën në kohën kur Kina po përgatitet për të lançuar një skemë të tregtimit kombëtar të karbonit në vitin 2017. Skema është drejt përfundimit, ndërsa programe pilot kanë tregtuar afro 120 milionë porcione karboni, transaksione që kanë kapur shifrën totale prej 3.2 miliardë juanësh (472,3 milionë dollarësh). “Do të duhet kohë që tregu të jetë tërësisht funksional, por sapo të jetë i tillë, ai do të jetë tregu më i fuqishëm në botë”, tha Xie.

Top Channel