Bashkia projekt për 20 shkolla, do të marrë fund mësimi me turne

31/10/2016 00:00

Mësimi me dy turne në shkollat në territorin e Tiranës, do të marrë fund pas përfundimit të projektit të bashkisë për ndërtimin e 20 shkollave që do t’i shtohen infrastrukturës aktuale.

Si pjesë e këtij projekti, ka nisur ndërtimi i një të tille në zonën e kombinatit dhe rindërtimi total i shkollës “Hoxha Tahsim”. Gjatë inspektimit të punimeve për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare në Kalac të Ndroqit, nënkryetari i bashkisë së Tiranës Andi Seferi, siguroi se bashkia do të angazhohet seriozisht që ky fenomen të marrë fund.

“Ashtu sikurse për çdo familje, gjëja më e shtrenjtë janë fëmijët, edhe në punën tonë, gjënë më të shtrenjtë që kemi janë fëmijët; pra rregullimi i infrastrukturës shkollore, kopshtet, çerdhet, shkollat përbën fokusin tonë kryesor të punës. Ne duam që brenda mandatit tonë të ndërtojmë edhe 20 shkolla, për të hequr përfundimisht sistemin me dy turne, që tashmë është bërë një gangrenë e arsimit tonë”, tha Seferi.

20 shkollat e reja do të ndërtohen në kryeqytet në partneritet publik-privat. Ndërkohë sa i përket ndërhyrjeve në infrastrukturën arsimore, bashkia e Tiranes, bën me dije se është duke përfunduar rikonstruksioni i të gjithë kopshteve.

Top Channel