Konkursi i letërsisë për nxënësit e shkollave është fituar këtë vit nga një vajzë me origjinë shqiptare, e cila mori çmimin “Astalli” duke treguar historinë e ardhjes së babait të saj në Itali në vitin 1991.

Më poshtë mund të lexoni të plotë tregimin e Alessia Dules, nxënëse në Viçenca të Italisë.

“Anija e shpëtimit. Të gjithë flisnin, jepej në televizor. Anijet po niseshin, populli gëzonte, më në fund njerëzit mund të largoheshin. Ishte viti 1991, ai sapo kishte mbaruar shërbimin ushtarak, ishte një i ri që donte lirinë, nuk donte që t’i bindej më urdhrave, donte mbrapsht jetën e tij.

Anija

Thonin se do të hapnin ambasadat, thonin që Franca, Italia, Gjermania do të dërgonin njerëzit përtej kufirit, në shtetin e tyre dhe do ta bënin këtë gjë nëse policia nuk do të vriste qindra të pafajshëm që donin vetëm lirinë, donin një vend të qetë për të rritur fëmijët. Herën e dytë ishte përhapur lajmi se do të nisnin anijet për në Itali, por edhe aty pati masakër. Fëmijë, gra dhe burra të vrarë për hiçgjë.

Hera e tretë

Hera e tretë ishte ajo e duhura. Të gjithë thonin që kësaj radhe anija do të nisej, që të gjithë do të shpëtonin dhe ai vendosi të nisej, por si? E vetmja mënyrë për të shkuar në Durrës ishte me tren dhe me të do të shkonte shumë vonë, do të humbte rastin e jetës. Po dorëzohej kur pa një kamion që ndaloi përpara shtëpisë së tij. Ai e pyeti kamionistin se ku po shkonte dhe ai iu përgjigj se po shkonte në Portin e Durrësit, aty ku duhej të çonte një ngarkesë që duhej të mbërrinte brenda datës 6 mars, ditën kur nisej anija.

Porti

Në atë kohë njerëzit e ndihmonin shumë njëri-tjetrin, më shumë sesa tani, sidomos në atë vend të vogël, ku pothuajse njiheshin të gjithë me njëri-tjetrin, për këtë arsye sapo ai i kërkoi që ta merrte me vete, kamionisti tha po. Do ia dilte, do arrinte t’i shpëtonte më në fund atij Ferri. Shkoi me vrap të ndahej nga nëna, babai, gjyshi, vëllai e motra, të cilët qanin sepse kishin frikë se nuk do e shihnin dot më, gjë që ishte më se e mundshme. Në vetëm një orë, jeta e tij mori një kthesë të madhe. Me të mbërritur në port, qëndroi i palëvizur për një moment. Kishte shumë njerëz që do të niseshin me anije dhe nuk dinte se si do të ngjitej në anije. Por e dinte që do të ngjitej në një mënyrë, pasi ajo ishte e vetmja mundësi. Hapte rrugën me bërryla dhe futej në hapësirat e vogla mes personave. Gjatë ngjitjes, ndjeu një dorë që e ngrinte sipër. Ishte një bashkëfshatar i tij, i cili e kishte njohur mes mijëra fytyrave. Kështu u nis në atë udhëtim që do e shpëtonte. Papritur, mendoi: “Çfarë do të bëj unë atje? Çfarë do të gjej? Po nëse nuk më mirëpresin?”

Frika

Kishte frikë, një frikë nga ato që të mbushin gjoksin e të bëjnë të dridhesh nga këmbët. Kishte parë në televizor se në Itali ishin të gjithë të pasur, por e dinte që jo gjithçka ishte si nëpër filma, por ishte e vetmja shpresë që kishte dhe donte të besonte me çdo kusht. “Ilirija” është emri i anijes që tundej nga numri i madh i njerëzve dhe ai e kaloi gjithë udhëtimin duke u lutur. 24 orë nga Durrësi në Brindizi pa bukë e ujë. Ishte 7 marsi i vitit 1991 dhe ai më në fund arriti në Itali, i lirë. Njerëzit lëshonin shishe me ujë dhe rroba nga ballkonet, përpiqeshin që t’i ndihmonin. I vendosën nëpër shkolla dhe hanin ushqim të skaduar, por gjithsesi ushqim mbetej. Trupin e kishte të lodhur, nuk kishte ngrënë prej 3 ditësh dhe për këtë arsye volli të gjithë atë që hëngri.

Valsugana

Një ditë, hynë disa persona nëpër klasa dhe i thanë që të hipnin në një autobus. Nuk e dinte se ku po shkonte, por kishte kuptuar pak nga ajo që ishte folur pasi në shtëpi shikonte televizionet italiane fshehurazi. Kishte kuptuar “nisje”, “veri” dhe “ftohtë”. Pas një udhëtimi të gjatë e pa veten në kazermën e Palucës, në Friuli-Venecia Xhulia, pak kilometra larg Austrisë. Ndenji aty për 3 muaj dhe në fund të majit i thanë që disa autobusë niseshin për komunat e Venetos, ku do të rregullohej një herë e mirë. Mori një autobus dhe shkoi në Çismon, një komunë e vogël në Valsugana.

Babai im

Që në fillim ishte ndihmuar nga njerëzit që jetonin aty. I jepnin rroba, mobilje të vjetra, çarçafë dhe gjithçka që i nevojitej. Ishte një zonjë, që ai e thërriste “gjyshe Ana” që i dha borxh të holla, i mësoi italishten dhe e ndihmoi për gjithçka. Së bashku me burrin e saj, ajo i dha punë dhe shtëpi. Sapo grumbulloi paratë e nevojshme, në qershor të vitit 1992 vendosi të kthehej në Shqipëri. Kishte një qëllim të qartë, donte të merrte në Itali të dashurën e tij, dashurinë e jetës së tij. Nuk donte ta linte vetëm pasi ishte shumë e rrezikshme. E çoi në Itali me avion, nuk donte që ajo të kalonte vuajtjet që kishte kaluar ai në anije. Nga aty, ata ndërtuan jetën e tyre së bashku dhe patën 2 fëmijë, një prej të cilëve jam unë. Ai është babai im.

Top Channel