Vokshi në AP të KiE: Mision monitorimi për shfrytëzimin e të miturve

29/10/2016 00:00

Partia Demokratike i ka kërkuar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të dërgojë një mision monitorimi në Shqipëri për të hetuar për shfrytëzimin e fëmijëve në landfillin e Sharrës.

Kryetarja e komisionit parlamentar të shëndetësisë, Albana Vokshi gjatë një takimi me AP e KiE në Paris, ka shprehur shqetësimin për shfrytëzimin e të miturve dhe grave në punë të rënda.

“Shfrytëzimi i fëmijëve për punë të rënda dhe dhunimi i të drejtave të tyre vazhdon të mbetet një problem shqetësues në Shëipëri. Referuar statistikave zyrtare dhe raportit të organizatës “ILO” , mbi 20 përqind e fëmijëve nën 18 vjeç jetojnë në varfëri absolute. Organizatat e fëmijëve raportojnë se mbi 100 mijë të mitur janë të kequshqyr dhe jetojnë në kushte ekstremisht të vështira ndersa 50 mijë punojnë në rrugë. Shqetësues është fakti që një numur i konsiderueshëm të miturish punon në kultivim dhe pastrim bimësh narkotike. Në raport progresin për Shqipërinë 2015, BE shprehu shqetësimin për rrezikun e trafikimit të fëmijëve dhe shfrytëzimit të tyre për punë, në mesin e tyre edhe të miturit e komuniteteve rom dhe egjiptianë. Autoritetet shqiptare fshehin statistikat e fëmijëve të trafikuar dhe të atyre që punësohen në të zezë”, deklaroi deputetja Vokshi.

Vokshi ka denoncuar edhe kaosin e vendim-marrjes me programet e mbrojtjes sociale për familjet dhe njërëzit në nevojë.

“Banka Botërore raportoi se 47 përqind e popullsisë në Shqipëri jeton me vetëm 500 lekë në ditë. Papunësia është rritur ndjeshëm. 34 përqind janë të rinj dhe të reja dhe në rajone te caktuar papunësia ndër gra e vajza shkon nga 50-70 për qind. Mbi 200 mijë shqiptarë, ndër ta 33 përqind fëmijë emigruan në Europë vetëm në këto dy vite. Ndërsa më shumë se 200 mijë shqiptarë aplikuan për llotarinë amerikane, në dëshpërim për jetën”, tha Vokshi.

Top Channel