Skandal në Elbasan, mësuesit luajnë domino në orën e mësimit

27/10/2016 00:00

Mësuesit e shkollës “Themistokli Kaçi”, në Trepsenisht të Elbasanit braktisin orën e mësimit për të luajtur domino. Nxënësit  e klasës së gjashtë dhe shtatë shprehen që janë në orën e fizkulturës dhe janë duke pritur që mësuesi i tyre të mbarojë lojën e dominos.

I njëjti mësues jep lëndën e Gjuhës Shqipe, por jep njëkohësisht edhe orën e Fizkulturës. Sipas tyre, po i njëjti mësues nuk e zhvillon orën e Gjuhës Shqipe, madje ata nuk dinë të shtjellojnë as foljen “punoj”.

“Në orën e gjuhës rrimë rehat, qeshim, jemi të gjithë tap- topi. Mësuesi vjen në klasë dhe thotë hapni librin, shikoni librin dhe kjo është ora e Gjuhës Shqipe për ne. Mjafton të lexojmë librin dhe na vendos të gjithëve notën 10-të”.- kështu shprehen para kamerave të emisionit “Fiks Fare” nxënësit e shkollës “Themistokli Koçi”, në Trepsenisht të Elbasanit.

Gazetarët e emisionit “Fiks Fare” hyjnë në ambientet e shkollës dhe përballen me agresivitetin e mësuesve që nuk i lejojnë të vazhdojnë më tej investigimin e tyre. Përgjegjësi i kësaj shkolle shtyn me forcë gazetaren e emisionit duke e larguar sëbashku me grupin e xhirimit jashtë ambienteve të shkollës.

Përgjegjësit të shkollës “Themistokli Koçi”, i kërkohet orari mësimor për të verifikuar atë ç’ka thonë nxënësit, por ai përgjigjet që nuk do t’ua japë.

Në një prononcim për emisionin “Fiks Fare” drejtoresha e kësaj shkolle, Lindita Kalemi, shprehet se nuk është në dijeni të situatës dhe se ajo do të kryejë inspektimet e saj dhe më pas do të veprojë në bazë të asaj ç’ka do të konstatojë.

Drejtoresha thotë se në këto shkollë ajo ka zhvilluar kontrolle të vazhdueshme dhe kjo situatë i duket e pamundur. Lindita Kalemi mban postin e drejtoreshës prej dy vitesh dhe në të gjithë këtë hapësirë kohore ajo nuk mundi t’i konstatojë këto parregullsi gjatë kontrolleve të realizuara prej saj, gjë që emisioni “Fiks Fare” e arriti në vetëm brenda 1 ore.

Top Channel