Basha lavdëron Kushtetuesen; kreu i PD: Opozita në prag bojkoti

26/10/2016 00:00

Gjykata Kushtetuese nuk ka reaguar ende ndaj kërkesës së Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për të mos vonuar dërgimin e ligjit të Vettingut në Komisionin e Venecias.

Sipas ambasadorëve, kjo do t’i shërbente zbatimit të reformës në drejtësi, por sipas kreut të opozitës, vendimi i shërben zbatimit të Kushtetutës.

“Pa dyshim si vendim i ndërmjetëm është një vendim i drejtë sepse i mohon Edi Ramës mundësinë që përmes qehajajve të tij, përmes drejtorëve të tij, të vendosë se cilët gjyqtarë dhe cilët prokurorë janë të korruptuar dhe cilët nuk janë. Sepse kjo nuk eshte ajo për të cilën shqiptarët dhe opozita luftuan dhe kulminuan me konsensusin e 22 korrikut. Pra, është një vendim që i hap rrugën zbatimit të Kushtetutës së 22 korrikut”, deklaroi Basha.

Megjithatë opozita e ka zhvendosur prej kohësh fokusin tek identifikimi i Kryeministrit me atë që e quan kanabizim të vendit. Sipas Bashës, vetëm në tetor janë sekuestruar në Itali, Greqi dhe Shqiperi 27 tonë kanabis.

“Vetëm gjatë muajit tetor dhe akoma pa u mbyllur tetori, Italia raporton të ketë kapur 7 tonë drogë. Greqia ka kapur 5 tonë drogë. Vetëm këtu në Shqipëri sipas raportimeve të deritanishme janë kapur 15 tonë drogë, në operacionet kryesisht të drejtuara nga Prokuroria. Pra, janë policia italiane, policia greke, prokuroria shqiptare, vetëm qeveria e Edi Ramës e ka të pamundur të kapë drogë”, tha ai.

Lulzim Basha, i cili foli për dështim të reformës zgjedhore dhe për moszbatim të ligjit të dekriminalizmit, paralajmëroi radikalizimin e qëndrimit të opozitës, duke përfshirë jo vetëm protestat, por edhe daljen nga Parlamenti.

“Ne e konsiderojmë Parlamentin tashmë një organ të delegjitimuar dhe një organ i cili qëndron si një kësulë mbi kokën e një shteti narko-trafikant. Po diskutojmë të gjithë skenarët e mundshëm. Por ndërkohë ne do të përdorim hapësirën institucionale opozitare për të goditur me të gjithë forcën e argumentit, për të demaskuar me të gjithë zërin opozitar që i jep zë hallit, brengës, denoncimit, refuzimit, përballjes së qindramijë qytetarëve. Së bashku me qytetarët do të vendosim se me cilën formë aksioni do të përballemi me këtë regjim narko-trafikantësh që e quan veten Qeveria e Shqipërisë”, deklaroi kreu i PD.

Kreu i opozitës nuk kurseu as të huajt, kur bëri përcaktimet e tij se çfarë do të thotë heshtje për çështjen e kanabizinit të vendit.

“Çdokush, absolutisht çdokush që hesht para kësaj, shqiptar apo i huaj, ka vetëm dy motive indiferencën ose korrupsionin. Ose është indiferent dhe nuk i bëhet vonë për Shqipërinë, ose është i korruptuar”, u shpreh ai.

Top Channel