“Mbetjet”, ambjentalistët takojnë Bashën; Ferrunaj: Mbështetje nga PD

25/10/2016 00:00

Përfaqësuesit e Aleancës Kundër Importit të Mbetjeve janë takuar këtë të martë me kryetarin e PD, Lulzim Basha, në vazhdën e takimeve me grupet parlamentare për të diskutuar ligjin e mbetjeve.

Në përfundim të takimit, kryetari i Aleancës, Lavdosh Ferrunaj ka deklaruar se ka marrë mbështetjen e kryetarit të PD kundër ligjit të importit të mbetjeve dhe për referendumin.

“Zoti Basha tha se ‘PD është krah jush dhe jo ju krah nesh’ dhe kemi marrë një mbështetje nga PD, e cila besojmë se do të jetë koherente dhe do të shfrytëzojë ndikimin e saj për të ndalur importin e mbetjeve”, ka thënë Ferrunaj.

“Diskutuam edhe për çështjen e referendumit, për të cilin PD ka ndërmarrë një iniciativë, por duhet të bëhet më parë ndalimi i importit të mbetjeve”, ka vijuar Ferrunaj, duke shtuar se, po sot përfaqësuesit e Aleancës do të takohen me përfaqësuesit e grupit parlamentar të PS.

Top Channel