Rriten interesat e bonove, pritet rritje e kërkesës së qeverisë për parà

23/10/2016 00:00

Sipas Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar për bonot njëvjeçare në ankandin e fundit arriti 1.83 për qind, nga 1.24 për qind që ishte në fillim të qershorit.

Të dhënat tregojnë se rritja e interesave është përshpejtuar veçanërisht në javët e fundit, duke prekur edhe letrat me vlerë më afatgjata. Për obligacionet dyvjeçare, interesi gati është dyfishuar dhe nga 1.5 për qind që ishte në gusht, kërceu në 2.7 për qind në ankandin e fundit.

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë shpjegojnë se rritja e interesave është rezultat i dy faktorëve. Sipas tyre, së pari ky është një reagim normal i tregut, ku pas rënies fillestare shumë të fortë, normat e interesit po shkojnë drejt një ekuilibri më të qëndrueshëm.

Ndërsa arsyeja e dytë, sipas tyre, lidhet me sjelljen e qeverisë në treg. Në buxhetin e shtetit, qeveria ka parashikuar që të marrë 35.7 miliardë lekë borxh për të gjithë vitin 2016. Por deri në fund të tetëmujorit, ajo jo vetëm që nuk ka marrë asnjë lek borxh të ri, por e ka mbajtur buxhetin me suficit, përkatësisht 13.7 miliardë lekë.

Kjo do të thotë se, e gjithë huamarrja prej 35.7 miliardë lekësh që është parashikuar për këtë vit, do të realizohet në dy muajt e fundit të tij. Më konkretisht, qeveria do të marrë 13.7 miliardë lekë borxh në nëntor dhe 21.3 miliardë lekë të tjera në dhjetor.

Kërkesa e lartë e parashikuar për dy muajt e mbetur të vitit duket se po shfrytëzohet nga bankat për të ngritur normat e interesit, të cilat gjithsesi mbeten në nivelet më të ulëta shumëvjeçare.

Top Channel