Skënderbeu sërish hap fals, afrohet Partizani

22/10/2016 00:00

Skënderbeu nuk po arrin më të jetë ai i fillimit të kampionatit. Pas humbjes me Tiranën një javë më parë 6 herë kampionët radhazi kanë barazuar 0-0 me Kukësin në fushën e tyre.

Humbja e një 11 metërshi nga ana e Salihit ishte dhe pika kyçe e kësaj ndeshjeje që sa i përket pikëve nuk favorizojnë asnjërën nga skuadrat. Korçarët janë vetëm 2 pikë mbi Partizanin një javë përpara përballjes direkte me ta.

Të kuqtë kanë rikuperuar falë fitores në kryeqytet përball Korabit me rezultatin 1-0. Goli i Ekuban, i cili është shndërruar në protagonist me rikthimin e Starovës në krye të pankinës, ishte ai që i dha 3 pikë të tjera të kuqve.

Kjo ishte fitorja e tretë radhazi e kryeqytetasve që nga koha kur Starova ka rimarrë drejtimin dhe dalëngadalë po rikuperohet fillimi jo i mirë i sezonit.
Nga një pikë ka ndarë edhe Laçi me Flamurtarin në një ndeshje që u mbyll me shifrat 1-1. Radoviç shënon për vlonjatët në pjesën e parë ndërkohë që në mbyllje të takimit Lulaj barazon shifrat.

Ditën e diel do të luhen dhe ndeshjet e mbetura të Javës së tetë të superligës, Luftëtari-Tirana dhe Vllaznia-Teuta.

Top Channel