Gjosha me gratë e LSI-së në Lushnje: Më shumë pjesëmarrje në politikë

22/10/2016 00:00

Në një takim me gratë e partisë në Lushnje, Klajda Gjosha  si kryetare e Lëvizjes  së Gruas për Integrim, kërkoi më shumë anëtare të reja në parti, pasi sipas saj ato janë shtyllat e LSI-së.

“Është shumë e rëndësishme që ne të afrojmë më shumë gra dhe vajza, sepse çdo energji e re, çdo frymë e re  i shërben  të ardhmes së LSI. Unë besoj fort se forca e gruas është një nga shtyllat kryesore të LSI-së, e cila ka treguar se nuk i do gratë vetëm për fushatë, por është e para  parti që ka vendosur kuotën 50 përqind në të gjitha instancat e saj drejtuese. Kemi vënë kuotën 50% edhe në këshillat bashkiakë. Dhe kjo është arritje e madhe, por ajo që duam të  bëjmë është që edhe në listat tona parlamentare të kemi 50 përqind gra”, tha Gjosha.

Në rrafshin kombëtar, Gjosha tha se LSI është forca politike më konstruktive.

“Ka një mision të jashtëzakonshëm LSI-ja. Është mbështetësja më e madhe e procesit të integrimit. Duke qenë se kam mbajtur postin e Ministres së Integrimit prej 3 vitesh, mund t’ju them se pa LSI-në kjo do të ishte e pamundur. Këtë e ka treguar në 2009-n, në 2013-n dhe së fundmi me reformën në drejtësi e cila u miratua me konsensus, falë punës së jashtëzakonshme të Kryetarit të Kuvendit. Kjo reformë është përshëndetur ndërkombëtarisht dhe kam bindjen se edhe qytetarët e këtij vendi kanë kuptuar shumë. Kanë kuptuar se pa dialog, pa konsensus, pa mirëkuptim mes palëve, Shqipëria nuk mund të ecë përpara” , u shpreh ajo.

Në takim ishte dhe nënkryetarja  e LGI-së, Brunilda Paskali, e cila tha se gratë nuk mund të presin që një burrë tua zgjidhë problemet ndërsa e quajti  Lëvizjen Socialiste për Integrim vendin ku gratë dhe vajzat kanë mundësinë të bëjnë  karrierë politike.

Top Channel