Përgjimet fundosin italianët, do blinin drogë në Shqipëri

21/10/2016 00:00

Në një operacion të Guardia di Finanza në rajonin jugor të Salentos në Itali, u arrestuan 11 persona, pjesë e një rrjeti kriminal, i cili ndër të tjera trafikonte dhe lëndë narkotike  që e blinte nga Shqipëria.

Në një bisedë të përgjuar për llogari të hetimeve të operacionit të koduar “Delja e zezë”, dy të dyshuarit flasin për një ngarkesë që duhet ta merrnin në Shqipëri e ku referencat “e kanë djegur” dhe “po punojnë më llamba” lë të kuptohet se bëhet fjalë për kanabis sativa.

Biseda e përgjuar:

Shtetasi S.V. – Ti duhet të ngarkohesh?
Shtetasi M. C. – Po, por nuk ka shumë. S’është problemi im. Unë ndaj shkova në Shqipëri. Sot duhet të nisesha, por nuk shkova se nuk ishte anija. Deti është i trazuar. Nesër do të nisem. Por atje e kanë djegur të gjithë, s’ka mbetur gjë.
Shtetasi S.V. – E di!
Shtetasi M.C. – Po e bëjnë me llamba të gjithën, ose të paktën të gjithë atë që është. Kjo është gjithçka më tha.  Është korrja e një viti e gjysmë më parë.

Kjo është vetëm njëra ndër bisedat e përgjuara nga Guardia di Finanza, e që çuan në përmbylljen e operacionit me bllokimin  e pronave,  automjeteve dhe 13 llogarive bankare me një vlerë totale prej 750 mijë eurosh. 

Hetimet u hapën pas denoncimit të një sipërmarrësi të zhvatur nga grupet kriminale në Bari dhe Bitonto dhe për objektiv kishin klanet Di Cataldo dhe Cipriano. Në operacion u angazhuan 159 ushtarakë dhe 7 njësi policore.

Pjesëtarët e organizatave kriminale e kishin bazën operative në një lagje të populluar në qytetin e  Bitontos, ku një çift të rinjsh drejtonin lëvizjet e lëndëve narkotike nga vendi ku blihej deri në sheshet ku shitej. Për të mos ngjallur dyshime ata mbanin me vete  djalin e tyre  10-vjeçar.

Ndaj rrjetit kriminal rëndojnë dyshimet për shumë vepra penale përveç shpërndarjes së lëndëve narkotike edhe zhvatje, vjedhje, favorizime e të tjera.

Top Channel