Operacion masiv antikanabis në Vlorë, Tepelenë, Krujë dhe Shkodër 

21/10/2016 00:00

Policia e Shtetit ka ndërmarrë një operacion masiv antikanabis, duke angazhuar mbi 300 forca në disa qarqe të vendit.

Në Vlorë, në zonën e Ujit të Ftohtë u gjetën 41 kg kanabis, ndërsa në pranga u vu pronari i pallatit dhe katit të parë ku u gjet lënda narkotike.

Në Kurvelesh të Tepelenës janë sekuestruar 520 kg kanabis i përpunuar dhe në proces tharjeje në 2 operacione të ndryshme. Lënda narkotike u gjet në një objekt të braktitur dhe dy kasolle në afërsi të rezervuarit në fshatin Nivicë. Në pranga u vu një 34-vjeçar nga Saranda.

Ndërkohë, në Krujë, policia gjeti ambiente të përshtatura për tharjen e lëndës narkotike dhe arrestoi në flagrancë 2 persona. Në operacionin e zhvilluar në fshatin Kameras u gjetën 85 kg kanabis e ndarë në pako, 1100 bimë në proces tharjeje dhe 1900 bimë të kultivuara. Sipas policisë, operacione antikanabis do zhvillohen edhe në zona të tjera të vendit.

Krahas këtyre operacioneve, prej 15 ditësh Policia e Shtetit ka vënë në zbatim një plan masash për goditjen e trafiqeve të paligjshme. Rreth 270 forca monitorojnë 24 orë në 24 vijën bregdetare të vendit dhe atë të Kufirit të Gjelbër. Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i ka kërkuar homologut italian dhe atij grek ngritjen e një zyre të përbashkët për goditjen e trafikut të narkotikeve përmes Adriatikut dhe Kufirit të Gjelbër.

Top Channel