Ushtria kundër hashashit, Tahiri: Vlerësoj propozimin. Kodheli: Vendos qeveria

20/10/2016 00:00

Propozimi “Manjani” për angazhimin e ushtrisë kundër kanabisit ka hasur kundërshtimet e ministrave të Brendshëm dhe të Mbrojtjes.

Mimi Kodheli e sheh të paarsyeshme propozimin, megjithatë mendon se vendimi për këtë duhet të ishte kolegjal. I përket Këshillit të Ministrave, tha Kodheli, të vendosë nëse do të angazhojë ushtrinë dhe jo atyre që ndjekin zhvillime nga kolltuku.

“Jo vetëm ta pres kritikën por t’i jap përgjigje gjithë kritikuesve që nga sallonet dhe kolltuqet lëshojnë ndonjë batutë. Emergjenca konsiderohet në rrugë institucionale. Kushdo mund të dalë dhe të thotë kemi këtë emergjencë këtu. Është një strukturë që quhet Këshilli i Ministrave, që vendos nëse ka një emergjencë”, deklaroi Kodheli.

Më i butë në qëndrimin e tij është Saimir Tahiri, i cili e kundërshton idenë e Manjanit por thotë se ministri i Drejtësisë është nisur për të bërë propozimin nga një qëllim i mirë, pavarësisht se nuk është i duhuri.

“E mirëkuptoj vullnetin e tij pozitiv për të bërë një propozim që shkon në adresimin e këtij fenomeni. Besoj se është një propozim i pasaktë, por hyn tek ato të dëshirës së mirë”, tha Tahiri.

Ndërkohë, deputetja e opozitës Majlinda Bregu thotë se i përket mazhorancës të veprojë, por sipas saj kjo maxhorancë duhet ta kishte pranuar më parë problemin me kanabisin.

“Këtë pyetje mund t’ua bëni përfaqësuesve të mazhorancës. Unë do të kisha dashur të kishte pasur një ndërgjegjësim të të dy forcave qeverisëse për ta konsideruar problemin shumë të madh që në fillim”, tha Bregu.

Top Channel