Shqipëri-Kosovë, hapet konsullata e përbashkët në Mynih

19/10/2016 00:00

Debatet e nisura në Kosovë e Shqipëri lidhur me politikën e jashtme duket se nuk kanë ndikuar aspak në projektet e dy ministrive për hapjen e konsullatave të përbashkëta.

Më e fundit që i shtohet listës ështe konsullata e përbashkët në Mynih të Gjermanisë, në inaugurimin e së cilës, veç ministrave Ditmir Bushati dhe Enver Hoxhaj, ra në sy prezenca e një figure të njohur mes shqiptarëve, Rifat Jasharit, vëllait të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

Kjo Konsullatë do të mbulojë landet e Bavarisë, Baden-Vyrtemberg, Rhainland-Pfalc dhe Sarland. Shërbimet dhe asistencën e kësaj konsullate pritet ta marrin mbi 30% e qytetarëve të të dyja shteteve që jetojnë Gjermani.

Përveç kësaj, kjo seli diplomatike do të ndikojë edhe në intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale, politike, diplomatike, ekonomike e kulturore me landet të cilat janë në rrethin e juridiksionit e saj.

Në fjalën e tyre, ministrat Bushati dhe Hoxhaj u shprehën: “Konsullata përbën një hap të rëndësishëm në kuadër të partneritetit strategjik që kemi mes dy vendeve dhe është një tregues i qartë i punës dhe vullnetit tonë për të qenë sa më pranë bashkëkombasve, duke iu ofruar atyre shërbime sa më cilësore dhe transparente”.

Top Channel