Skenari interaktiv i një sulmi terrorist. Publiku kthehet në gjykatës

18/10/2016 00:00

Teleshikuesit në të gjithë Europën morën pjesë në një dramë ligjore televizive, e cila fliste për një akt terrorist të trilluar. Publikut iu kërkua që të gjykonte nëse një pilot ushtarak, i cili rrëzoi një avion pasagjerësh që do të përplasej në një stadium, ishte fajtor për vrasje apo jo.

Teleshikuesit në Gjermani, Zvicër dhe Austri e dhanë vendimin e tyre përmes telefonit. Programi gjerman u transmetua edhe në Slloveni dhe Republikën Çeke.

Shfaqja titullohej “Terrori, vendimi juaj” dhe u transmetua nga televizoni “ARD”. Në skenarin fiktiv, militantë nga një degë e “al Qaeda”-s morën peng një avion me 164 pasagjerë dhe planifikonin që ta përplasnin në një stadium me 70 mijë spektatorë gjatë ndeshjes Gjermani-Angli. Majori i Aviacionit gjerman, Lars Koch godet avionin e marrë peng, duke mos lejuar terroristët të sulmojnë stadiumin, por duke vrarë në këtë mënyrë të gjithë pasagjerët në bordin e avionit.

Teleshikuesve iu kërkua që të vendosnin nëse Koch ishte fajtor për vrasje apo jo. Shumica prej tyre votuan që Koch të shpallej i pafajshëm.

Në Gjermani, përqindja e teleshikuesve që justifikuan veprimin e Koch ishte 86.9%. Të ngjashme ishin edhe shifrat në Zvicër e Austri. Skenarë të tillë janë debatuar gjatë, që pas sulmeve në 11 shtatorit 2001 në SHBA.

Në atë kohë, zv.presidenti amerikan Dick Cheney tha se rrëzimi i avionëve justifikohej për të parandaluar humbje më të mëdha njerëzish. Por në vitin 2006, Gjykata Kushtetuese gjermane tha se një veprim i tillë shkel nenin 1 të Kushtetutës, pikërisht dinjitetin njerëzor.

Shumica e njerëzve mendojnë se, meqë jetët e pasagjerëve të avionit të marrë peng konsiderohen të humbura, justifikohet rrëzimi i mjetit flutures. Por të tjerë mendojnë se piloti duhet shpallur fajtor, pasi fati i pasagjerëve nuk dihej, ndërsa askush nuk duhet të vërë në peshore jetët njerëzore ndaj njëra-tjetrës.

Top Channel